Vizat, edhe Holanda skeptike

01/10/2010 00:50

Pas opinionit publik të Iniciativës Europiane për Stabilitet, ku kritikohe pozicioni i Francës kundër Komisionit Europian për heqje e vizave me Shqipërinë brenda afateve të përcaktuara, edhe Holanda është shprehur e rezervuar në takimin e ambasadorëve të vendeve anëtare.

Sekretarja e përgjithëshme e ESI-it, Alexandra Stiglmayer, vlerëson se Brukseli po përdor standarte të dyfishta, duke e krahasur me procesin e një viti më parë kur u vendos liberalizimi i vizave me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë.

“Ajo që është për të ardhur keq është fakti që Franca dhe Holanda po krijojnë pengesa në një kohë kur Komisioni është shprehur se kriteret janë plotësuar. Vitin e kaluar kur Serbia apo Mali i Zi ishin në të njëjtën pozitë, askush nuk ngriti ndonjë shqetësim, ndaj përse duhet të përbëjë problem tani?”, shprehet Sekretaja e ESI-it, Alexandra Stiglmayer.

Burime konfidenciale nga takimi i përfaqësuesve të përhershëm vendeve anëtare në Bruksel, treguan për Top Channel se para mbledhjes së 8 nëntorit në Këshillin e BE-së është rënë dakort që ekspertët e Komisionit të takohen gjatë tetorit me përfaqësuesit holandezë e francezë për të dhënë shpjegime shtesë mbi vlerësimet pozitive që rezultojnë nga misionet vëzhguese në terren.

“Unë besoj se presidenca belge është e vendosur për marrjen e një vendimi gjatë mandatit të saj dhe në rastin më të keq ata mund ta lënë këtë çështje për votë, çka do të kërkonte 3/4 për miratim. Pra nëse Franca dhe Holanda janë kundër liberalizimit tani, megjithëse në fund mund të votojnë edhe pro, gjithësesi kjo çështje kalon me shumicë të cilësuar”, deklaroi më tej, Alexandra Stiglmayer.

Për ESI-n shqetësimet e ngritura nga Franca dhe Holanda nuk kanë të bëjnë vetëm me çështje rome, por dhe me praninë muslimane në Shqipëri e Bosnje. Ndërkohë që zyrtarisht pozicioni i kujdesshëm i disa vendeve anëtare justifikohet me dyndjen e kërkesave për azil të qytetarëve nga Maqedonia dhe Serbia në fillim të këtij viti në Europë.

Top Channel