Oketa: Absurditet që Topi mos ketë të ardhme në PD

30/09/2010 23:30

Në vijim të fjalës së tij në Top Story, deputeti i PD-së, Gazmend Oketa iu përgjigj disa pyetjeve të analistëve të ftuar në studio, si për debatin e fundit mes deputetit Prifti e Meta, luftën ndaj korrupsionit dhe akuzat mazhorancë-opozitë, si dhe për rikthimin e mundshëm të presidentit Topi brenda radhëve të Partisë Demokratike.

Fillimisht zoti Oketa foli për akuzat e ndërsjellta mes Priftit dhe Metës, dy përfaqësuesve kryesorë të mazhorancës. Sipas tij bëhet fjalë për 2 politikanë me eksperiencë dhe përplasja mes tyre nuk duhet parë si çështje e brendshme e LSI-së, por si përplasje brenda mazhorancës.

“Akuzat e Priftit u pasuan nga kundërakuza të Metës. Duke ndjekur këta dy politikanë dhe kolege nuk them që jam ndjerë komod. Bëhet fjalë për dy politikanë me eskperiencë. Duhet të kishte filluar puna për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, disa reforma dhe disa piketa kryesore duhet të ishin parësore në funksion të qytetarit. Fatkeqësisht këto nuk kanë ndodhur, palët akuzojnë njëri-tjetrën, por më të rënda mbeten akuzat brenda mazhorancës, pasi konflikti nuk mund të cilësohet vetëm si i LSI-së”, tha Oketa.

Më tej deputeti demokrat foli për luftën ndaj korrupsionit dhe për akuzat e ndërsjellta mes opozitës dhe mazhorancës për afera korruptive.

“Korrupsioni nuk luftohet me fletërrufe, por me institucione. Janë organet përkatëse ato që duhet të zbardhin. Akuzat nga njëra palë në tjetrën ulin besueshmërinë”, vijoi më tej zoti Oketa.

Pasi u shpreh se Partia Demokratike ka një demokraci të brendshme, deputeti Oketa theksoi se ai është dhe do të vazhdojë të mbetet pjesë e mazhorancës, pavarësisht qendrimeve personale, ndërsa për largimin e deputetit të Qarkut të Shkodrës, Paulin Stërkaj dhe për qendrimet e zotit Prifti, Gazmend Oketa tha se në bazë të Kodit Zgjedhor, bazuar në miratimin e listës së kandidatëve për deputetë, dikush duhet të mbajë përgjegjësi politike.

Më tej, deputeti Oketa foli për ndryshimet kushtetuese, përkatësisht të Kodit Zgjedhor. Ai duke shprehur qendrimin e tij personal tha se nuk ka një kod ideal zgjedhor, por se për të kodi i mëparshëm ishte më i përshtatshëm për vendin tonë.

Ndërsa përsa i përket një rikthimi të mundshëm të Presidentit të Republikës, Bamir Topi në radhët e PD-së, pas mbarimit të mandati në krye të shtetit, Oketa, duke iu referuar një tjetër rasti brenda mazhorancës tha:

“Duke shpresuar që kolegu që i referohem s’do të ma marrë për keq këtë gje, përderisa Lefter Maliqi do të ketë të ardhme në PD, do të ishte absurditet që Bamir Topi, aktualisht President i Republikës mos të ketë të ardhme”, tha deputeti Oketa.

Top Channel