Master i shkencave, miratohen kuotat dhe tarifat

30/09/2010 08:30

Këshilli i Ministrave miraton vendimin për kuotat e pranimeve për specializimet pasuniversitare të njohura si master shkencor në universitete.

Qeveria ka vendosur që kuotat për programet e studimeve të ciklit të dytë, për vitin 2010-2011, të jenë 4365.

Po ashtu, qeveria ka miratuar që kuotat e transferimeve do të jenë 100 dhe do të ketë vetëm 50 të drejta studimi për pasuniversitarë për 50 shtetas të huaj.

Sipas vendimit do të përfitojnë master shkencor vetëm 20 të verbër dhe 20 përfaqësues të komunitetit rom, dhe ballkano-egjiptian.

Tarifat e shkollimit për specializimin master shkencor do të jenë të njëjtat si një vit më parë. Ministria e Arsimit ka konfirmuar se studentët që do të ndjekin këtë cikël do të paguajnë 100 mijë lekë për të dy vitet.

Kriteret dhe tarifat

Institucionet publike të arsimit të lartë përcaktojnë kriteret e pranimit të aplikantëve dhe i bëjnë ato publike, paraprakisht.

Aplikantët që do të fitojnë të drejtën në një programi studimi të ciklit të dytë, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2010-2011, dhe që u përkasin shtresave sociale, si: të verbër/të shurdhër, invalidë, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijë jetimë, fëmijë romë, ballkano-egjiptianë, fëmijë të policëve dhe ushtarakëve të rënë për shkak të detyrës dhe të ish-të përndjekurve politikë, paguajnë një kuotë në masën 50 për qind të tarifës së shkollimit.

Këtë të drejtë do ta kenë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave sociale.

Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife shkollimi, pagesa e së cilës bëhet me këste të përcaktuara nga institucioni i arsimit të lartë. Studentët përsëritës i nënshtrohen tarifës së shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdojnë rregullisht studimet.

Në çdo program studimi të ciklit të dytë, “Master i Shkencave”, studentët e vitit të parë, që kanë përfunduar me Medalje të Artë ciklin e parë të studimeve dhe studentët e vitit të dytë, që kanë përfunduar shkëlqyeshëm vitin e parë, nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin akademik 2010-2011.

Rishpërndarja e kuotave të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, të cilat mbeten të parealizuara, bëhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me institucionet publike të arsimit të lartë.

Ndarja e kuotave

Kuotat e pranimeve të reja, për programet e studimit të ciklit të dytë “Master i Shkencave” përbëhen nga: Kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit “Master Profesional”, për aplikantët brenda territorit të vendit, përkatësisht 3667.
 
Kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i Shkencave”, për aplikantët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit janë 408.

Kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë, ndahen ndërmjet aplikantëve shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit: Republika e Kosovës, Maqedonia, Mal i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja.

Administrimi i këtyre kuotave kryhet në bazë të marrëveshjeve dypalëshe ndërmjet vendeve, si dhe akteve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Top Channel