Këshilli Bashkiak merr pushime pas pushimeve

29/09/2010 08:25

Këshilli Bashkiak i kryeqytetit as që ka ndërmend të mblidhet. Të paktën deri në fund të shtatorit nuk është njoftuar asnjë mbledhje e parashikuar, as për javën e parë të tetorit.

Viti 2010 ka qenë koha kur anëtarët e Këshillit Bashkiak Tiranë më shumë janë grindur dhe kanë diskutuar, se sa kanë miratuar apo kanë propozuar ide dhe strategji për të përmirësuar jetesën e qytetarëve të Tiranës.

Buxheti i kryeqytetit për këtë vit është drejt vetëshkatërrimit, ndërkohë që një listë e gjatë punësh kanë mbetur pezull, për shkak se anëtarët e këtij këshilli nuk janë mbledhur më që në muajin korrik.

Duke e konsideruar muajin gusht, si periudhë pushimesh, këshilli edhe mund të mos mblidhej, por duke qenë se shtatori mbyllet për një ditë, edhe ky muaj është konsideruar pushim dhe reflektim për të gjithë anëtarët e këtij institucioni.

Qindra fëmijë, që prej një muaji kanë nisur shkollën në një nga lagjet periferike të kryeqytetit, ende nuk dinë në çfarë shkolle mësojnë, pasi Këshilli Bashkiak, që ka nderin e pagëzimit të institucioneve arsimore në Tiranë, akoma nuk e ka parë të arsyeshme të mblidhet.

Një pjesë e investimeve, rregullimeve e meremetimeve kanë mbetur pezull dhe mbase nuk realizohen, për shkak të mosmiratimit të buxhetit të 2010-s.

Për më keq, anëtarët e Këshillit Bashkiak e dinë shumë mirë se në rast se do të kundërshtonin dhe nuk do të miratonin tri herë rresht këtë fond, institucioni duhet të shpërndahet dhe duhet të realizohen zgjedhje të reja.

Por jo vetëm kaq. Edhe abonetë, të cilat nuk do të pranohen në muajin nëntor nëse bashkia nuk plotëson kërkesat e Shoqatës së Transportit, nuk dihet se si do t’i shkojë filli.

Kërkesa e Drejtorisë së Transporteve në Bashkinë e Tiranës, ka dërguar shkresë për diskutim dhe miratimin e tarifave të reja në Këshillin Bashkiak.

Por, edhe kjo problematikë ka mbetur pezull, pasi asnjë mbledhje e Këshillit Bashkiak nuk është njoftuar të paktën edhe për javën e parë të muajit tetor.

Top Channel