Qeveria dhe SHISH, 9.6 milionë euro borxh MJ

27/09/2010 08:10

Ministria e Punëve të Jashtme ankohet për shpenzimet e administratës së ministrive të tjera të kabinetit “Berisha”, në kurriz të diplomatëve shqiptarë.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu, në Komisionin Parlamentar të Punëve të Jashtme, bëri me dije se institucionet e tjera i kanë borxh Ministrisë së Jashtme, 9.6 milionë euro dhe nuk kanë paguar asgjë. Për këtë fenomen dhe për këtë kosto të lartë borxhi, Ministria e Jashtme ka reaguar me shkresa zyrtare, por nuk ka marrë asnjë përgjigje konkrete.

Nga zbardhja e procesverbaleve të këtij komisioni, del që kostoja vjetore e një diplomati shqiptar i kushton shtetit shqiptar 50 mijë euro në vit, duke përfshirë qiranë, sigurimet dhe rrogat. Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu, e ka konsideruar skandaloz faktin që përfaqësuesit e Shërbimit Informativ Shtetëror janë paguar nga Ministria e Jashtme, ose nga përfaqësitë diplomatike.

Ministria e Jashtme synon hapjen e ambasadave shqiptare në Australi dhe Afrikën e Jugut në vitin 2011 dhe gjithashtu hapjen e dy konsullatave në Kretë të Greqisë dhe Mynih të Gjermanisë. Me anë të një shkrese zyrtare një muaj më parë, Ministria e Jashtme i ka kërkuar Ministrisë së Financave një shtim buxheti në vlerën e 409 milionë lekëve për përfaqësitë diplomatike.

Sipas të dhënave nga Ministria e Jashtme, rreth 70% e shoferëve të dërguar nga Shqipëria janë hequr dhe si rrjedhojë janë shkurtuar edhe shpenzimet. Ministria e Jashtme ngarkohet edhe artificialisht nga institucionet e tjera, pasi “të dërguarve” nga pjesa e administratës për vizita jashtë Shqipërisë u paguhen shpenzimet nga Ministria e Jashtme, ndërsa pala e ministrive të linjës nuk janë përgjigjur deri më sot, duke e çuar këtë situatë në një debit të madh që këto institucione i kanë Ministrisë së Jashtme. Vlera kap shifrën e 9.6 milionë eurove.

Në buxhetin e ri të vitit 2011, Ministrisë së Jashtme i është lënë një fond prej 2.1 miliardë lekësh. Nga këto fonde, 85 milionë lekë do të përdoren nga diplomacia shqiptare për hapjen e ambasadave në Australi dhe Afrikën e Jugut dhe dy konsullatave në Kretë dhe Mynih. Ndërsa 323 milionë lekë për përfaqësitë aktuale diplomatike, për të mbuluar shpenzimet e tyre.

Një familje diplomati, vetëm për shpenzime fikse, i kushton shtetit 50 mijë euro në vit, ku përfshihet qiraja, sigurimet dhe rrogat. Pagesa mujore e një ambasadori kushton mesatarisht 1268 euro, ndërkohë që shteti shqiptar, përveç pagesës mujore, shpenzon edhe të ardhura të tjera për qiranë e banesës së një ambasadori dhe shpenzime për sigurimet shëndetësore të tij dhe partneres apo partnerit sipas rastit.

Po kështu, në buxhetin e një diplomati, shteti shqiptar vendos edhe shpenzimet për arsimimin dhe shkollimin e fëmijëve të diplomatëve. Konsulli i përgjithshëm, ministri fuqiplotë dhe ministri këshilltar paguhen mesatarisht në muaj rreth 951 euro. Këshilltarët e zakonshëm të ambasadorit paguhen 703 euro, ndërsa sekretari i parë dhe konsulli paguhen 634 euro. Ndërsa sekretari i dytë dhe i tretë i ambasadës shpërblehen me pagesën mujore 480 euro.

Top Channel