Nga porta e manastirit mund të hyjë kushdo, por kjo është porta nga ku nuk mund të dalin 7 murgesha. 

Ato kanë zgjedhur të jetojnë përjetë të mbyllura mes 4 mureve. Motër Lula është një nga shtatë murgeshat e manastirit të Shën Kiarës në Shkodër.

Na pret tek dritarja, që zakonisht në manastiret katolike është e mbyllur me hekura, por këtu është vendi ku hekurat sjellin ende dhimbje. Vecanërisht në këtë manastir i cili në vitet e diktaturës ka qenë burg i sigurimit të shtetit. Por izolimi në këtë rast është lumturi. “Unë jam shumë e lumtur edhe pse jam e mbyllur. Jam e mbyllur për botën dhe jetoj në botë”, shprehet ajo. Motër Lula është nga fshati Rragam i rrethit të Shkodrës.

Eshtë rritur në një familje me besim të madh edhe në kohën e ndalimeve të mëdha. Eshtë fëmija i pestë dhe e vetmja që ka zgjedhur këtë rrugë. Familja edhe pse shumë besimtare në fillim nuk e priti mirë vendimin e Lulës për t’u bërë murgeshë e aq më tepër murgeshë manastiri. Motër Lula është e bindur se kjo është zgjedhja e duhur për jëtën e saj. Por rruga drejt kësaj bindjeje s’ka qenë e lehtë. Dilemat e kanë trazuar vecanërisht në fillim.

“Në fillim po, nuk e kuptoja nëse kisha bere zgjedhjen e duhur”, shton ajo. Ishte viti 1994 kur ajo u largua. 12 vitet e para i ka kaluar në Itali, ndërsa prej 5 vitesh jeton në këtë manastir. “Në manastir kam hyrë në moshë të madhe 30 vjece. Kam pasur djem që më kanë kërkuar dhe nuk e di pse u kam thënë jo”, thekson Motër Lula.

Paragjykimeve të zakonshme ndaj murgeshave se ato kanë zgjedhur këtë jetë pasi s’kanë arritur të martohen, ose se janë zhgenjyer nga jeta, motër Lula u përgjigjet me buzëqeshje. “Nuk është e vërtetë. Nuk mund të bësh një zgjedhje të tillë se ke mbetur pa martuar”, vijon murgesha. Me lirshmëri dhe sinqeritet na tregon se dhe vetë ajo e ka përjetuar dëshirën për t’u martuar. “Edhe une kam pasur dëshirë të martohem, kam bërë qëndisje madje”, vijon ajo.

E megjithatë, ajo, ashtu si 6 murgeshat e tjera ne kete manastir, ka vendosur të jetojë e mbyllur, edhe pse mund të vendoste t’i përkushtohej Zotit por të lëvizte e lirë në shërbim të njerëzve. “Besoj shume tek lutja dhe jam lutur edhe në kohën e komunizmit”, pohon murgesha nga Shkodra.

Hapësira brenda manastirit është e ndarë. Eshtë pjesa ku jetojnë murgeshat në katin e dytë dhe ku askush s’mund të depërtojë, madje as nënat e tyre. Dhe disa hapesira ku përkohësisht mund të qëndrojnë njerëzit që kanë nevojë për t’u lutur tek Zoti. Një ditë e tyre e zakonshme fillon në orën 6 të mëngjesit me lutje dhe mbyllet në orën 9 të darkës po me lutje.

Gjatë ditës, motrat merren me punë dore, me takime lutjtje me njerëz që sjellin hallet e tyre për t’i lënë të kycura brenda me murgeshat. Për këtë vit, motër Lula ka e kapërcyer vetëm 3 herë portën e manastirit, dhe kjo për ditët e Pashkëve.

“Mund te dalim nga manastiri vetem nese u vdes nje familjar ose për një dokument ku duhet firma jonë”, vijon motër Lula. Në Shqipëri, përvec manastirit të Shën Kiarës ekziston dhe një manastir tjetër motrash katolike që ndodhet në fshatin Nënshat po në Shkodër. “Të hysh në manastir do të thotë se je shumë e dashururar me zotin. Kjo është eksperienca ime”, përfundon rrëfimin e saj murgesha nga Shkodra.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel