Skandali i kalendarit të famshëm në Romë, “prifti seksi” pranon: Nuk kam qenë kurrë klerik

22/05/2026 07:40

Një kalendar i famshëm romak, i njohur për imazhet e “priftërinjve seksi”, ka shkaktuar debat dhe habi pasi një nga protagonistët e tij pranoi publikisht se shumica e modeleve nuk janë fare priftërinj. Bëhet fjalë për “Calendario Romano”, një nga suveniret më të njohura për turistët në Romë, i cili prej vitesh shitet pranë Vatikani dhe në qendrën historike të qytetit.

Giovanni Galizia, një nga fytyrat më të njohura të kalendarit gjatë 23 viteve të fundit, pranoi në një intervistë për Associated Press se nuk ka qenë kurrë prift dhe se gjithçka ishte thjesht pjesë e një seti fotografik artistik.

“Shokët e mi qeshnin me të madhe kur më panë të veshur si prift”, tregoi ai, duke shtuar se në atë kohë ishte vetëm 17 vjeç dhe e konsideronte fotosesionin si një punë të zakonshme modelingu.

Debati shpërtheu pasi gazeta italiane “La Repubblica” publikoi një artikull ku sugjerohej se “kalendari seksi i priftërinjve” në fakt mund të quhej “kalendari i priftërinjve të rremë”. Sipas fotografit Piero Pazzi, autorit të projektit, vetëm një e treta e personave që shfaqen në edicionin e vitit 2027 janë realisht pjesë e klerit, ndërsa të tjerët janë modele apo persona pa lidhje me kishën.

Pazzi theksoi se kalendari nuk është menduar si mashtrim, por si një projekt artistik me portrete bardh e zi të frymëzuara nga estetika klasike romake. Vetë Galizia tha se nuk mendon se publiku është mashtruar ndonjëherë.

“Është art. Dhe nëse dikush mendon se dukem seksi me jakën e priftit, e marr si kompliment”, u shpreh ai me humor.

“Calendario Romano” shitet prej vitesh për rreth 8 euro dhe konsiderohet një nga suveniret më të pazakonta që turistët blejnë në Romë. Edhe pse kalendari ka krijuar polemika, Vatikani nuk ka bërë asnjë koment zyrtar lidhur me çështjen.

Top Channel