Shkodër, djegia e plehrave po shkatërron 3 lumenj

23/09/2010 08:30

Një përfaqësi e qytetarëve të Shkodrës ka nënshkruar dje një peticion drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Kryeministrit Sali Berisha, për të ndaluar djegien e plehrave përpara varrezave të dëshmorëve. 

Ata pretendojnë se djegia e mbeturinave në këtë zonë ndalohet sipas legjislacionit në fuqi.

Sipas qytetarëve, zona përpara varrezave të dëshmorëve është e banuar dhe dendësia e banorëve po shtohet çdo ditë e më shumë.

Ata thonë se tymi i plehrave shkon direkt e te banorët e zonave të Bardhajve, stacionit të trenit, të lagjes “Mark Lula” dhe deri në fshatin Kuç, kur era fryn më fort.

Qytetarët shtojnë se depozitimi i plehrave në atë vend bën që lumi Kir të marrë me vete të gjitha mbeturinat dhe t’i çojë ato në Drin e më pas në Bunë, prej ku përfundojnë në deltën e saj, pranë plazhit të Velipojës.

“Qeveria e Shqipërisë dhe Bashkia e Shkodrës deri më sot nuk kanë ndërmarrë asnjë iniciativë për ndalimin e këtij fenomeni shumë të dëmshëm për jetën e qytetarëve, edhe pse gjithnjë e më shpesh tymrat e plehrave të djegura mbulojnë gjithë ditën gjysmën e qytetit të Shkodrës dhe ndotin rrezikshëm ajrin”, theksojnë qytetarët në peticion.

Sipas shkodranëve, banorët që jetojnë afër impianteve ose vendeve të djegies së plehrave, duhet të marrin parasysh një rrezik shumë të madh të kancerit dhe sëmundjeve të tjera vdekjeprurëse, sepse ata janë të ekspozuar ndaj këtyre substancave toksike, të cilat merren nëpërmjet frymëmarrjes, lëkurës dhe konsumimit të ushqimeve të kontaminuara.

“U bëjmë thirrje të gjithëve që të tregojnë një ndjenjë përgjegjësie qytetare dhe të mbështesin nëpërmjet nënshkrimit të tyre peticionin tonë kundër ndotjes së qytetit të Shkodrës dhe pro shëndetit të banorëve të tij”, thotë përfaqësia e qytetarëve të Shkodrës.

Top Channel