Pastrimi i parave, qeveria i merr atribute prokurorisë

22/09/2010 08:30

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave dhe policia gjyqësore merr atributet e prokurorisë e policisë gjyqësore për të hetuar çështjet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Këshilli i Ministrave ka marrë nismën për ngritjen e krijimit të njësisë së hetimit, e cila do të funksionojë si strukturë e specializuar hetimi në përbërje të autoritetit përgjegjës. Kjo njësi do të ketë për detyrë të kërkojë, pastrojë, kap dhe konfiskojë të gjitha produktet e krimit dhe financimet e terrorizmit, duke krijuar një bazë të dhënash unike për identifikimin e numrit të llogarive të personave fizik dhe juridik.

Kjo njësi do të jetë nën varësinë e Këshillit të Ministrave. Qeveria ka marrë parasysh edhe kërkesat e Shoqatës Kombëtare të Bankave të Shqipërisë, e cila ka kërkuar që diapazoni i gjobave të jetë i përcaktuar në vlera minimale dhe maksimale, pasi një gjë e tillë e bën më të lehtë përllogaritjen e gjobës.

Këshilli i Ministrave ka protokolluar më 6 shtator 2010 në Kuvend projektligjin dhe relacionin e ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”. Ligji do të diskutohet në komisionet parlamentare dhe do të kalojë më pas në Parlament për votim. Në relacionin e qeverisë citohet se “nisur nga fakti se gjatë dy viteve të fundit është rritur ndjeshëm numri i rasteve, të referuara në polici e prokurori dhe këto të fundit nuk po i përgjigjen me po të njëjtin ritëm kësaj rritje, u pa e domosdoshme që në atributet e autoritetit përgjegjës konkretisht, DPPPP-së, të përfshihen edhe atributet e policisë gjyqësore, për të hetuar çështjet më komplekse të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

Me anë të këtij drafti, qeveria synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Duke qenë se Shqipëria ndodhet aktualisht në procesin e marrjes së statusit për kandidat potencial në Bashkimin Europian, u pa i nevojshëm përafrimi i mëtejshëm i legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit me “acquis communautaire”.

Subjektet që dyshojnë se prona është produkt i veprës penale ose ka për qëllim të përdoret për financimin e terrorizmit, menjëherë, brenda periudhës së përcaktuar në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji, i paraqesin një raport autoritetit përgjegjës, ku parashtrojnë dyshimet që kanë. Kur subjektit, të cilit i kërkohet nga klienti të kryejë një transaksion, ka dyshime se transaksioni mund të përfshijë pastrim parash ose financim terrorizmi, ai duhet t’ia raportojë menjëherë çështjen autoritetit përgjegjës dhe të kërkojë udhëzime nëse duhet ta kryejë apo jo transaksionin.

Autoriteti përgjegjës është i detyruar të kthejë përgjigje brenda 48 orëve. Subjekteve u kërkohet t’i raportojnë autoritetit përgjegjës, sipas afateve të përcaktuara në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji për të gjitha transaksionet në para fizike, në një vlerë të barabartë ose më të madhe se 1.5 milionë lekë dhe për të gjitha transaksionet jo në para fizike, në një shumë të barabartë në vlerë me ose më të madhe se 6 milionë lekë. Për të gjitha subjektet apo individët që thyejnë rregullat e përcaktuar me vendim qeverie, sanksionet do të variojnë nga 300 mijë lekë deri në 5 milionë lekë.

Top Channel