Fajon: Arritje jo vetëm në letër

15/09/2010 01:10

Komisionerja për çështjen e vizave, Tanja Fajon, një mbrojtëse e zjarrtë e heqjes se vizave me Shqipërinë, deklaron se Shqipëria ka bërë arritje në çështjet që kërkoheshin nga Bashkimi Europian.

Por ajo i cilëson ato arritje në leter të cilat tashme duhet të zbatohen dhe për këtë zonja Fajon thotë se Shqipëria do të monitorohet me korrektësi.

“Jam shumë e lumtur të shoh se Komisioni njohu gatishmërinë teknike të Shqipërisë, çfarë provon atë që ne kemi thënë deri tani se qeveria në muajt e fundit ka punuar shumë për të arritur këtë rezultat. Ajo çfarë është e rëndësishme është që sigurisht Shqipëria tani duhet të vazhdojë të zbatojë edhe në praktikë atë punë që është bërë në letër. Komisioni Europian dhe institucionet e tjera, përfshirë këtu dhe Parlamentin Europian, do të monitorojë natyrisht progresin në Shqipëri, sepse një gjë është të arrish përparime në letër e tjetër është progresi në terren, në praktikë. Komisioni vlerëson se në disa fusha ka ende gjëra që duhen bërë dhe mendoj se Komisioni do t’i monitorojë ato dhe në të ardhmen. Nuk do të hyja shumë në detaje pasi raportin e morëm vetëm sot”, deklaroi zonja Fajon.

Top Channel: Herën e fundit për publikun deklaruat se humori i vendeve anëtare do të vërehet në mes të shtatorit. Si e shihni sot humorin e Këshillit për çështjen e liberalizimit të vizave?

“Të gjithë e dimë se ky është proçes teknik në vetvete dhe unë bëj apel që të mbetet i tillë, por në fund çështja kalon për vendim politik. Unë nuk dua të spekuloj me humorin që do të jetë në Këshill mbi këtë proçes, por kur bie fjala për heqjen e vizave me Shqipërine, une dëgjoj nga vendet anëtare gjithmonë disa shqetësime, dhe janë tërësisht të justifikuara. Shpresoj që heqja e vizave të mbetet teknik, por në fund të fundit është edhe politik, po ashtu dhe stabiliteti politik në vend është i domosdoshëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku heqja e vizave përbën në fakt një hap shumë të rëndësishëm të Shqipërisë drejt BE-së”, përfundoi raportuesja Fajon.

Top Channel