Tirana zyrtare hesht për Papandreun

13/09/2010 08:05

Qëndrimet politike të Kryeministrit grek, Jorgo Papandreu, lidhur me incidentin e Himarës, kanë gjetur vetëm heshtjen në Tiranë.

Edhe pse mesazhet dhe apeli i kreut të qeverisë greke ka qenë më se i qartë për qeverinë shqiptare, asnjë reagim, përgjigje apo edhe qëndrim nuk është bërë prezent për mediat shqiptare.

Të paktën deri më tani, kur duket se vdekja e Aristotel Gumës po hyn në një hulli të trajtimit politik që priret të instrumentalizohet me afrimin e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të vitit 2011. I vetmi reagim nga ana e autoriteteve shqiptare mbetet të jetë ai i organeve hetimore dhe gjykatës, që ende nuk është shprehur për motivet e ngjarjes që aktualisht trajtohet si aksident.

Mes angazhimeve të detyruara të organeve shtetërore dhe reagimeve publike të medias shqiptare, mbetet sërish heshtja e politikës, e cila si nyje kryesore institucionale adresohet te Ministria e Jashtme.

Top Channel