KQZ propozon rritjen e komisioneve të numërimit

13/09/2010 08:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hedh hapin e parë konkret lidhur me reformën zgjedhore. Në një kohë kur partitë politike janë mbërthyer në debate politike rreth nevojës së ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe kushtëzimit të tyre me transparencën, organi i drejtuar nga Arben Ristani ka bërë gati propozimet konkrete.

Në një deklarim mediatik dje, ky i fundit ka zbuluar disa hollësi të draftit të përgatitur, i cili kryesisht i mëshon nevojës së disiplinimit të emërimit të komisionerëve të nivelit të dytë dhe të tretë, si dhe shtimit të numrit të qendrave të numërimit. “Nga 66 qendra numërimi, do të duhet të jenë më shumë që të përshpejtohet procesi i numërimit.

Duhet bërë ndryshime të atilla në kod që do pengonin politikat bllokuese të forcave politike, të cilat marrin pjesë në zgjedhje. Partitë politike kanë një akses të pakufizuar dhe një mundësi të pakufizuar që t’i ndryshojnë komisionerët deri në momentin e fundit, gjë e cila ka sjellë si pasojë futjen në proceset zgjedhore të njerëzve të patrajnuar. Kjo mund të pengohet me një ndryshim të thjeshtë ligjor”, tha Ristani.

Në të vërtetë, ky problem i hasur shpesh në përgatitjen procesit zgjedhor është një përsëritje e kërkesave të KQZ, e cila ka bërë të njohur faktin se kjo e drejtë e partive politike shoqërohet me kosto të mëdha edhe ekonomike. Kështu, procesi i detyrueshëm i trajnimit të komisonerëve bëhet i pavlerë nga zëvendësimet e orëve të fundit, të cilat më së shumti lindin nga nevoja e militarizimit të mjedisit institucional që administron procesin elektoral. Me rëndësi është këtu edhe ideja e shtimit të vendeve të numërimit të votave, të cilat kanë si vështirësi kryesore adaptimin e ambienteve dhe plotësimin e tyre me kërkesat teknologjike që parashtron ligji.

Në raport me pretendimet politike që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor, këto sugjerime ngjajnë sipërfaqësore, por ndoshta edhe synimi për të qenë i distancuar nga politika ka diktuar që ato t’i referohen vetëm aspektit teknik të procesit. Në një vështrim tjetër, pra me atë që do të merrte në shqyrtim pretendimet e Partisë Socialiste për procesin e fundit, sugjerimet e bëra nuk duket se japin ndonjë zgjidhje konkrete. I vetmi moment i konformimit politik në draftin e zbuluar nga Ristani është gatishmëria e shprehur prej tij sa i përket votimit elektronik që për opozitën as që ka hyrë në axhendë për shkak të mungesës së besueshmërisë. “Janë të mundshme për t’u bërë po dhe këto kërkojnë ndryshime ligjore, të cilat duhen shoqëruar me një konsesus të gjerë të forcave politike, pra ato duhet të bien dakord për t’u bërë, dhe e mira do të ishte që dakordësia e tyre të ndodhte sa më shpejt të jetë e mundur, sepse janë procese të cilat duan kohë fizike të gjatë për t’u implementuar dhe ndërkohë fillon numërimi mbrapsht drejt ditës së zgjedhjeve”, tha kreu i KQZ.

Top Channel