“Mirësevini në Gallatë”

13/09/2010 18:55

Fshati Gallatë është një ndër fshatrat me emra më komikë në vendin tonë. Për ata që e dëgjojnë për herë të parë këtë emër, nuk besojnë se ky është emërtimi i një fshati, por një shaka e e bashkëbiseduesit.

Por në fakt mosmarrja seriozisht e bisedës u rëndon seriozisht banorëve të fshatit që në pjesën e prezantimit duhet të betohen që t’i besojnë.

“Nuk na marrin seriozisht, duhet të shpjegojmë se nuk bëjmë shaka”, shprehet një banor.

Për atë që akoma s’e kanë marrë seriozisht, fshati Gallatë ndodhet 20 kilometra përtej Milotit në rrethin Kurbin dhe është një fshat ku aktualisht jetojnë 90 familje. Vendasit quhen gallatas dhe vërtet e kanë humorin pjesë të karakterit të tyre. Por në të vërtetë cila është prejardhja e këtij emri? Për këtë ka dy variante kryesore. Pashk Ndreu, më i vjetri i fshatit na tregon variantin e parë.

“Historia e emrit vjen nga Turqia. Një prift erdhi nga Gallata e Stambollit bashkë me vëllezërit dhe u vendos këtu ndaj u vu dhe emri”, thotë Pashku.

Varianti i dytë jep një shpjegim krejt tjetër. Nikoll Balozi, ish drejtor shkolle në Gallatë tregon se emri ka ardhur nga Izraeli.

“Emri është vendosur nga ardhja e një grupi nga Izraeli në kohë lufte nëpërmjet detit. Ata janë pozicionuar fillimisht në Italinë e Jugut dhe më pas në këtë vend që quhet Gallatë”, shpjegon Nikolla.

Gjithsesi historitë e emrit i dinë vetëm banorët e tij të cilët i tregojnë e ritregojnë sa herë që të tjerët vënë buzën në gaz kur dëgjojnë emrin Gallatë. Të tjerët, mendojnë se ka të bëjë me kuptimin parësor, atë të shakasë.

Megjithë reagimet e ndryshme, banorëve të fshatit nuk u ka shkuar ndonjëherë në mend që të kërkojnë ndryshimin e emrit.

“Në fshatra të ndryshëm ka emra të çuditshëm. Ka dhe me keq”, shprehet një prej banorëve.

Në të vërtetë në listën e emrave të fshatrave të Shqipërisë mund të gjesh emra shumë të çuditshëm. Disa prej tyre kanë një natyrë denigruese, si psh: Fshati Shkrete në Krujë, fshati Mëkat në Vlorë, fshati Gri në Kukës, fshati Toç në Tepelenë, fshati Mizë, Havaleas apo Gjynaqare në Fier, Kusarth ose Lugaxhi në Elbasan, Pilaf në Dibër, Karkanjoz në Berat etj.

Por lista nuk përfundon me kaq. Radhës së gjatë të toponimeve të çuditshme i shtohen dhe emra si: Symizë, Xhuxh, Hundëkuq, Vithkuq, Boks, Salcë, Gocë, Vajzë, Faqekuqe, Këmbëthekër, Buzëmadh, Bishqethem, Kokërdhok, Kurvelesh.

Për të ndryshuar një emër fshati ligji parashkon një proçedurë që nis në këshillin e komunës. Këshilli duhet të bëjë propozimin i cili kalon në Ministrinë e Brendshme nëpër sektorët e Pushtetit Vendor dhe më pas përfundon në Parlament, ku duhet të miratohet me 84 vota.

Juristët e parlamentit tregojnë se pjesa më e madhe e emrave të fshatrave që kanë mbërritur në parlament për ndryshim kanë qenë toponime të huaja. Vetë fshatarët e Gallatës, as që kanë ndërmend ta ndërrojnë emrin e tyre.

“Kemi 500 vjet me këtë emër dhe ne nuk e kemi problem”, shprehet një banor.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel