Nju Jorku bëhet gati për 11 shtatorin

11/09/2010 08:00

Shtetet e Bashkuara po përgatiten për 9-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork, pavarësisht polemikave që shpërthyen pasi një prift i Floridës paralajmëroi me djegien e Kuranit.

Presidenti Barack Obama ka bërë thirrje për qetësi, ndërkohë që qyteti përgatitet për të përkujtuar viktimat e atentateve.

Ndërkohë, prifti Terry Jones ka mbërritur në Nju Jork, ku ai shpreson të takohet me imamin kryesor.

Plani i tij për të djegur librin e shenjtë mysliman ka shkaktuar reagime ndërkombëtare, por zoti Jones thotë se plani i tij është lënë në pritje.

Në vend të djegies Jones ka udhëtuar drejt Mollës së Madhe, ku do të takohet me imamin për të diskutuar mbi planin për të ndërtuar një qendër kulturore islamike dhe një xhami në vendin ku ndodheshin dy kullat binjake, që sot njihet me emrin ground zero.

Gjatë seremonisë përkujtimore në këtë zonë do të përmenden emrat e të gjitha viktimave që humbën jetën pasi atentatorët goditën me avion dy kullat dhe një pjesë të Pentagonit.

Top Channel