Poni: Duhet ndryshuar sistemi administrativ

10/09/2010 08:45

Zgjedhjet e ardhshme vendore kanë nevojë për disa ndryshime në sistemin administrativ të vendit, në kuadër të kthimit të disa komunave në vend në bashki.

Ky ishte mesazhi që erdhi dje nga ana e zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinant Poni, dikasteri i të cilit me dekretimin e datës së zgjedhjeve po bëhet gati për përgatitjen e procesit të ardhshëm zgjedhor.

Sipas Ponit, zgjedhjet e ardhshme vendore të cilat do të mbahen më 8 maj të 2011-s nuk kanë nevojë për një ndarje të re territoriale, por vetëm për korrigjime në disa komuna, të cilat për shkak të numrit të madh të popullsisë duhet të kthehen në bashki.

Por ky korrigjim kërkon 84 vota në Parlamentin shqiptar, gjë të cilën mazhoranca aktuale e ka të pamundur ta bëjë pa ndihmën e votave të opozitës.

Në këtë kuadër bashkëpunimi PD-PS pritet të vendos edhe zgjidhjen ose jo të këtij problemi administrativ për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Nga ana tjetër, Poni thekson se dikasteri që ai drejton ka nisur punën intensivisht për zgjedhjet që do të zhvillohen pas tetë muajsh.

Sipas Ponit, kjo pjesë e Ministrisë së Brendshme, e cila merret me anën zgjedhore, ka arritur të ketë vlerësimet më të mira nga ndërkombëtarët në lidhje me punën e saj për përgatitjen e listave të zgjedhësve, kartave të identitetit dhe elementeve të tjerë të rëndësishëm për një proces zgjedhor.

Top Channel