
Duket se Ministria e Financave nuk do ta zbatojë planin e Kryeministrit për ta pasur buxhetin në tryezën e tij brenda muajit shtator, madje kreu i qeverisë kishte kërkuar ta kishte gati projektin në fillim të këtij muaji, por vështirësitë e hasura gjatë fazës së negociatave kanë shtyrë për disa javë përfundimin e projektit.
Burime zyrtare nga Ministria e Financave konfirmojnë për “shqip”, se pritet të nisin shumë shpejt takimet dypalëshe me ministritë e linjës për të rakorduar buxhetet e planifikuara në kuadrin afatmesëm.
Pas kësaj faze është planifikuar një tjetër proces, ai i negociatave, që konsiderohet më i vështiri.
“Parashikojmë që buxhetin ta kemi gati për miratim në qeveri, të paktën brenda javës së dytë të muajit tetorit. Është e pamundur të ecë më shpejt”, tregon një zyrtar i ministrisë.
Sipas planit të Financave, kalimi i buxhetit në tetor nga Këshilli i Ministrave, mundëson një kohë të mjaftueshme, të paktën një muaj e gjysmë, që Parlamenti të debatojë për të gjetur alternativën e duhur të buxhetit.
Ndërkaq, këtë javë dolën në dritë disa të dhëna kontradiktore të buxhetit të shtetit për vitin 2011.
Në fillim ishte planifikuar një shumë e përafërt me 395 miliardë e 200 milionë lekë, e më pas u mësua një tjetër variant me 408 miliardë lekë.
Sipas ministrisë, të dyja vlerat e buxhetit mund të pësojnë sërish ndryshime në varësi të negociatave.
Qeveria planifikon ta ulë deficitin buxhetor në 2011 me 2.8 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, nga 3.1 për qind që parashikohet për këtë vit.
Gjithsesi do të pritet fundi i vitit për të mësuar realizimin faktik të të ardhurave, të cilat kanë pësuar një reduktim si efekt i krizës.
Top Channel