Përurohet rikonstruksioni i gjimnazit të Komunës së Kastriotit. Gjimnazi “Gjergj Kastrioti” në qendër të Komunës Kastriot në Rrethin e Dibrës, është dhe mbetet qendra më e madhe e arsimit në këtë zonë.
Ka qenë një investim i popullit amerikan për popullin shqiptar nëpërmjet bashkëpunimit të komandës të SHBA-së dhe zyrës për bashkëpunim të mbrojtjes së ambasadës së SHBA-së në Tiranë, prej rreth 500 mijë eurosh, që ka mundësuar rikonstruksionin total të kësaj shkolle në rrënim e sipër.
Në këtë përurim morën pjesë edhe zëvendësambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Deborah Jones, shefi i zyrës së bashkëpunimit të mbrojtjes, major Kevin Bosch, si dhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata, deputetë të Qarkut të Dibrës Jemin Gjana, Sherefedin Shehu dhe autoritete lokale.
Sipas drejtorit të kësaj shkolle, Qamil Neziri, mësohet se ai së bashku me kryetarin e Komunës së Kastriotit, Hamza Leshi, janë lidhur me ambasadën amerikane në Tiranë, ku kanë parashtruar nevojën për ndërhyrje urgjente në këtë shkollë.
E ndërtuar në vitin 1976 dhe pa ndërhyrje ndër vite për mirëmbajtjen e saj, ajo rezultonte të ishte e amortizuar totalisht me çati, dyer, dritare, shtresa dyshemeje, suvatime, tavane klasash.
Këtë vit janë regjistruar 315 nxënës. Shkolla ka ambiente të bollshme jo vetëm për zhvillimin e mësimit, por edhe kabinete e dy salla informatike, ku njëra është e kompletuar me 15 kompjuterë dhe tjetra pritet të kompletohet së shpejti nga MASH-i.
Top Channel