Kongo, qindra të vdekur nga mbytja e 2 varkave

06/09/2010 09:35

Shumë persona dyshohet të kenë vdekur në Republikën Demokratike të Kongos, pasi dy varka u përmbysën në dy incidente të ndryshme.

Një prej tyre po transportonte mbi 300 persona në lumin Kasaj, kur papritur mori zjarr, në afërsi të kufirit me Angolën.

Ministri i Informacionit, Lambert Mende Omalanga deklaroi se varka po transportonte karburant dhe për pasojë në të nuk duhet të ndodheshin pasagjerë.

Në incidentin tjetër të paktën 24 persona humbën jetën në provincën e Ekuateurit, kur varka u përmbys teksa lundronte në lumin Ruki. Varka kishte në bord rreth 100 persona, ka bërë të ditur ministri i Informacionit, Omalanga.

Sipas autoriteteve lokale, dyshohet se mbi 70 persona kanë humbur jetën, ndërsa 15 të tjerë janë shpëtuar. Autoritetet po hetojnë përse varka po lundronte gjatë natës me drita të fikura.

Top Channel