Francë, protesta kundër dëbimit të romëve

04/09/2010 11:20

Në Francë janë planifikuar një seri manifestimesh për të protestuar kundër politikës së qeverisë që parashikon dëbimin e romëve nga vendi.

Grupet kundër racizmit, të cilat kundërshtojnë dëbimin, deklarojnë se mbi 30 mijë persona mund të marshojnë vetëm në Paris.

Qeveria franceze është kritikuar në rang ndërkombëtar për dëbimet, që rikthyen rreth 1 mijë romë në Rumani dhe Bullgari muajin e kaluar.

Megjithatë, sondazhet tregojnë se më shumë se gjysma e qytetarëve francezë mbështesin politikën e qeverisë. Sipas shifrave zyrtare, vitin e kaluar janë dëbuar nga Franca rreth 11 mijë romë.

Dega për të Drejtat e Njeriut, që ka organizuar dhe protestat, ka deklaruar se dëshiron të kundërshtojë ksenofobinë e qeverisë dhe abuzimin sistematik që sipas saj bëhet me romët.

Gjithësej janë planifikuar 138 manifestime, përfshirë një marshim në kryeqytet, që do të fillojë në orën 14:00.

Top Channel