Bler: Ekstremizmi islamik, kërcënim global

04/09/2010 00:20

Në një intervistë për BBC, ish-kryeministri britanik, Toni Bler, tha se kërcënimi më i madh i sigurisë globale mbetet ekstremizmi islamik.

“Radikalët islamikë besojnë se çdo veprim që është në dobi të kauzës së tyre është i nevojshëm, qoftë ai edhe sakrifikimi i mijëra jetëve të pafajshme nëpërmjet armëve të shkatërrimt në masë si ato bërthamore e biologjike”, tha Bler.

Më tej ish-kreu i kabinetit britanik, tashmë i dërguari i “Kuartetit” në Lindjen e Mesme, tha se synimi i Al Kaedas në Irak nuk ishte dëbimi i trupave amerikane e britanike nga vendi, por destabilizimi i qeverisë irakianë, qeverisë, sipas tij, që çdo irakian votoi.

“Në duhet t’i dërgojmë një mesazh të qartë Iranit se ata nuk mund të posedojnë armë bërthamore, në të kundërt duhet t’i ndalojmë ata”, vijoi më tej Bler për tensionet e fundit mes perëndimit dhe Iranit.

Ish-kryeministri ishte ftuar në BBC për të folur mbi librin e tij, si dhe për të ndarë opinionet mbi çështjet e sigurisë në Irak, Afganistan e Lindje të Mesme.

Top Channel