Republika e Hondurasit ka njohur sot zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ky vendim njohës i është kumtuar ministrit të Punëvë të Jashtme të Kosovës, Skënder Hysenit.

Kështu njofon zyra për informim e kësaj ministrie përmes një komunikate të lëshuar për media.

Aty thuhet se, Ministri Hyseni dhe Ministri Canahuati gjatë një bisede të gjatë dhe të përzemërt telefonike u pajtuan gjithashtu që menjëherë të fillojnë procedurat për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Duke e falënderuar në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, Ministri Hyseni theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të ndërtuar bashkëpunim dhe marrëdhënie të ngushta me këtë vend.

Ndërkaq, Ministri Canahuati theksoi se Hondurasi është i vendosur që ta përkrahë Republikën e Kosovës në të gjitha rrafshet dhe institucionet ndërkombëtare si një vend mik me të cilin ka vendosur të ndërtojë marrëdhënie të forta dhe të qëndrueshme miqësore dhe diplomatike.

Kjo njohje nga Hondurasi vjen gati dy muaj pas shpalljes së mendimit këshillshënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që legjitimon shpalljen e pavarësisë.

Top Channel