Bujqësia, cmimet në kurth

02/09/2010 20:25

Duke parë atë që po ndodh me cmimet e miellit në botë, shumë njerëz mund të mendojnë se së shpejti buka do të bëhet një ushqim i rezervuar vetëm për shtresën e lartë dhe mall luksi për ata që kanë të ardhura të pakta.

Në dy muajt e fundit cmimi i miellit ka shënuar rritjen më të lartë të 37 viteve të fundit. Si cdo mall që blihet e shitet, edhe cmimi i drithërave është rezultat i kërkesë-ofertës.

Dhe me rënien e prodhimit në Rusi, eksportuesit të tretë më të madh në botë, rritja e cmimeve të drithërave ishte e pashmangshme.

Disa analistë thonë se tendenca e përgjithshme e cmimeve është për lartë. Dhe sa më gjatë rritja të vazhdojë, aq më shumë presion do të ketë për rritjen e cmimeve të mallrave të tjera bujqësore, sidomos ato me bazë blegtorale, pasi drithërat rrisin koston e ushqimit të bagëtive.

Por pavarësisht shkatërrimeve në Rusi, ekspertët thonë se cmimi i drithërave do të varet më së shumti nga prodhimi i vendeve të tjera të mëdha.

Nëse prodhimi i tyre do të jetë i lartë, atëherë pritet që cmimet të bien sërish shumë shpejt. BBC citon ekspertë që thonë se edhe me këtë situatë zjarresh në Rusi, oferta botërore e drithërave është e mjaftueshme për të mbajtur nën kontroll cmimet.

Në Amerikë, për shembull, rezervat e drithërave janë në nivelin më të lartë në 23 vitet e fundit. Ndaj, disa prej tyre thonë se një pjesë e rritjes së cmimeve i dedikohet spekullatorëve dhe panikut që është krijuar në treg.

Por edhe pse rritja e tanishme e cmimeve të miellit mund të jetë një fluskë, njerëzit mund të kenë një arsye për t’u shqetësuar.

Organizata Botërore e Ushqimeve publikoi se në dhjetë vitet e fundit, cmimet e ushqimeve janë rritur me 83 për qind, duke e bërë jetën më të vështirë për shumë njerez në botë.

Ndaj, edhe nëse kjo e tanishmja mund të jetë thjesht një rritje e castit, trendi afatgjatë i cmimeve të ushqimeve është për lartë.

Top Channel