Salmonela, izolohen pesë raste në Sarandë

30/08/2010 08:30

Spitali i Sarandës izolon pesë raste me salmonelë, e njohur ndryshe si tifoja e zorrëve.

Pacientët janë paraqitur në mënyrë të përsëritur pranë qendrës spitalore, ndërkohë që pas dyshimeve të hedhura nga autoritetet lokale, por edhe nga specialistë të Institutit të Shëndetit Publik, janë marrë kampionë ekzaminimi.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe spitali i Sarandës. Sipas rezultateve të para të analizave rezulton se pacientët janë të prekur nga sëmundja e salmonelës. Po sipas të dhënave fillestare mendohet se bëhet fjalë për një infeksion bakterial.

Pacientët e paraqitur në spital, janë ekzaminuar dhe pas marrjes së ndihmës së parë dhe medikamenteve të përshkuara nga mjeku janë larguar nga qendra shëndetësore. Shenjat e tyre kanë qenë kryesisht shqetësime gastro-intestinale, diarre dhe të vjella.

Ende nuk dihen arsyet e sakta apo burimi i infeksionit të personave të izoluar, por ajo që po shqyrtohet nga specialistët, veç ujit të pijshëm, janë edhe ushqimet apo produktet pranë pikave të ndryshme të tregtimit të produkteve ushqimore. Fillimisht mjekët kanë menduar se bëhej fjalë për një virozë të thjeshtë, por kur një pjesë e pacientëve janë rikthyer në spital me të njëjtat simptoma, është kërkuar një ndihmë më e specializuar nga strukturat shëndetësore në kryeqytet.

Gjatë verës, edhe spitali i Sarandës ka raportuar nga qershori deri në gusht fluks të pacientëve, të cilët janë paraqitur me simptomat e virozave të stinës. Por fluksi më i madh i të prekurve, i cili ka kaluar edhe shifrat zyrtare, është raportuar nga autoritetet në Sarandë, nga fillimi i gushtit. Janë hedhur poshtë shkaqet e virozës, më pas të infeksionit nga uji i pijshëm dhe është dhënë konfirmim se nuk bëhet fjalë për një epidemi.

Dhjetë ditë më parë janë raportuar rreth 300 raste pacientësh me virozë, të cilët janë paraqitur me simptomat e virozës së stinës ndërsa në fundjavë, është konfirmuar se pesë raste në Sarandë janë prekur nga salmonela. Sipas udhëzimit të Shëndetësisë, spitali i Sarandës duhet të qëndrojë në gatishmëri për të marrë kampionët e analizave për raste të tjera, ndërkohë që nuk është konfirmuar asnjë rast nga kryeqyteti. Në muajin gusht edhe në shërbimin e infektivit pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, u paraqiten çdo ditë mbi 100 pacientë me simptomat e virozës së stinës.

Salmonela është sëmundje bakteriale infektive që transmetohet nëpërmjet gojës. Mikrobi i saj merret kryesisht nga ushqimet dhe uji i ndotur. Ushqimet që preken më shumë nga mikrobi i salmonelës janë bulmetrat, djathi, qumështi apo gjiza, si dhe mishi, kryesisht ai i pulës pa harruar dhe vezën. Sipas mjekeve infeksionistë, sëmundja e salmonelës njeh dy natyra, madhore dhe minore. Salmonela madhore apo siç njihet nga populli tifoja e zorrëve, ka shenja klinike shumë të rënda, të cilat në qoftë se nuk marrin mjekimin në kohë, japin komplikacione që e çojnë pacientin deri në ndërhyrje të vështira kirurgjikale, me rrezik për jetën. Pacienti ka shqetësime gastrointestinale të shoqëruara me të vjella, dhembje koke, të cilat çojnë në fryrje të zorrëve ku konsiston dhe ndërhyrja kirurgjikale.

Top Channel