Vampiret “thithin” publikun

27/08/2010 10:05

Vampirët, apo thithësit e gjakut, siç quhen ndryshe, kanë përpirë vëmendjen e publikut në të gjithë botën dhe fitime mbresëlënëse duke kapur një shifër prej 7 miliard dollarësh vetëm në dy vitet e fundit.

Bëhet fjalë për filma kinematografikë, programe televizive dhe libra best-seller mbi këto figura që kryesisht paraqiten përsosmërisht të bukura, plot sharm dhe ndonjëherë, megjithëse monstra, me sjellje më njerëzore se humanët.

Llogaritjet janë bërë nga “The Hollywood Report”, që nisin pikën e referimit nga dalja e më pak se para dy vitesh të filmit “Twilight-Muzgu”, bazuar në romanin me të njëjtin titull të Stefeni Mejer, i pari për një kohë shumë të gjatë në klasifikimin e librave best-seller të “New York Times”.

Vazhdimi në 3 vëllime të tjera të suksesshme të sagës së “Twilight, ka sjellë xhirimin e dy filmave të tjerë bazuar në ta, përkatësisht “New Moon” dhe “Eclipse”.

Ndërkohë që në 2011 dhe 2012 priten të dalin dy të tjerë mbi librin e fundit “Breaking down”. Vetëm tre filmat e parë të kësaj sage kanë grumbulluar 1.76 miliard dollarë në të gjithë botën, librat 1.6 miliard.

Saga e “Twilight” trajton historinë e dashurisë mes një humaneje, Bella Suan dhe vampirit Eduard, një personazh ekstremisht pozitiv, i cili është gjithmonë në mbrojtje të së dashurës së tij, që duket se është një magnet ndaj telasheve.

Papërshtatshmëria fizike dhe e botëve që u perkasin, nuk ndalojnë gjithsesi dashurinë e tyre për njëri-tjetrin. Një romancë e pazakontë dhe një sërë aventurash, që kanë tërhequr vëmendjen e miliona njerëzve në mbarë botën.
Seriali televiziv “True Blood” i kanalit televiziv HBO, ka rezultuar më i suksesshmi që pas kohës kur transmetohej seriali “Sopranot”.

Historitë e para me vampirë kanë dalë që në fillesat e shekullit të XIX, si “Vampiri” i John Polidorit, shkruar në 1819, apo “Drakula” i Bram Stoker në 1897-en.

Sot, krijesat “e ftohta e të pavdekshme” kanë bërë që të ngrihet një industri me fitime që s’ndalen. Në fakt, tashmë vampirët janë kudo…
.

Top Channel