Matura, listat e fituesve më 15 shtator

26/08/2010 08:00

Data 15 shtator do t’i japë fund ankthit të maturantëve, të cilët presin të mësojnë nëse janë ose jo fitues në njërën prej 10 degëve të tyre të preferuara.

Zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata, pohoi se fituesit do të shpallen në mes të shtatorit, pasi në dhjetëditëshin e parë të këtij muaji do të zhvillohen konkurset e pranimit në Universitetin e Sporteve, në degën e Arkitekturës, si edhe në Akademinë e Arteve.

“Në mesin e muajit shtator do të bëhet shpallja e rezultateve për fazën e parë. Këtë vit sistemi do të ketë dy faza. Faza e parë do të bëjë shpalljen paraprake, pastaj do të fillojë regjistrimi dhe në përputhje me fazën e dytë do të bëhen çregjistrimet aty ku dikush do të ngjitet më sipër, duke qenë se spostimi do të bëhet nga poshtë-lart”, sqaroi Shamata.

Zv/ministri tha se deri në fillim të vitit të ri akademik pritet të përfundojnë të gjitha procedurat, ndërkohë që shpjegon edhe rregullat që do të ndiqen për zëvendësimin e kuotave bosh.
Ai premtoi se gjithçka do të mbyllet përpara fillimit të vitit të ri akademik.

“Nuk do të ketë formularë të tjerë përveç formularit A2 i cili përcakton preferencën, sepse të gjitha kuotat që do të teprojnë, studentët sipas radhës që kanë në listën më poshtë do të regjistrohen në mënyrë të drejtpërdrejtë pa pasur nevojë për procedura dhe formularë”, shtoi Shamata.

Këtë vit, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit kanë konkurruar për në universitete rreth 30 mijë maturantë, ndërkohë që kuotat e pranimeve janë rritur me 10% më shumë se një vit më parë.

Top Channel