Sean Connery, ikona skoceze mbush 80 vjec

25/08/2010 16:00

Ikona e kinemasë hollivudiane, skocezi Sean Connery mbush sot plot 80 vjec.

Nga shumë njerëz cilësohet më i famshëm madje edhe se vetë mbretëresha Elisabeta II, por kjo pak rëndësi ka për një emër të madh si Connery që në pjesën më të madhe të jetës së tij i ka dhënë shumë ekranit të kinemasë.

Që prej vitit 2003 ai është tërhequr nga filmat dhe jeton në Bahamas. Connery do të mbahet mend gjatë edhe për ndjenjën e madhe të patriotizmit, pasi shpesh herë ka deklaruar se do të kthehet të jetojë në Skoci vetëm kur vendi i tij të marrë pavarësinë nga Britania e Madhe.

“Pensioni është shumë i bukur ndërsa në Hollywood tani ka shumë idiotë”, ka deklaruar aktori skocez pa shumë diplomaci. Sean Connery ka lindur në një lagje të varfër të qytetit të Edinburgut dhe që në rini ra në sy talenti i tij. Ka marrë pjesë në disa seri të “Indiana Jones” dhe ka fituar vetëm një Oscar si aktor jo protagonist.

Pas ushtrisë ai luajti në disa pjesë teatrale dhe më pas mori pjesë në një konkurs të BBC ku shfaqi talentin para shkrimtarit Ian Fleming. Ishte bashkëshortja e Fleming që u magjeps nga karizma e Connery, duke bërë që bashkëshorti i saj ta përzgjidhte. Kështu, Sean mori pjesë në disa seri të “Agjenti 007”.

Në vitin 1998 revista “People” e shpalli si një nga meshkujt më të bukur të planetit pasi në vitin 1990 e kishte shpallur mashullin më të bukur të shekullit. Në trupin e tij ka të pikturuar dy tatuazhe; “Mum and Dad” dhe “Forever Scotland”.  

Top Channel