PD:Rama të deklarojë pasurinë

25/08/2010 20:05

Partia Demokratike edhe njëherë tjetër ka kërkuar nga kreu socialist, Edi Rama deklarimin e pasurisë së tij. Në një konferencë për shtyp deputeti Edi Paloka hodhi akuza mbi projektin e Bashkisë së Tiranës në parkun e liqenit.

“90 përqind të këtij projekti monstër prej betoni, mister 20 përqindshi ia ka akorduar firmave të lepujve që kanë lidhje me të. Nuk mund të heshtim për 20 përqindëshin e lejeve të ndërtimit që kryetari i partisë së lepujve ia shton pasurisë së tij në emër të Dritan Avllait i njohur si ‘Tan Lepuri’, si dhe në emër të partnerëve të tij. I përsëris mister 20 përqindëshit kërkesën që të bëjë publike partnerët e tij gjatë 12 viteve të fundit, burra apo gra qofshin të bëjë transparencën e pasurisë të vendosur në emër të tyre e të mos fshihet në kutinë e lepurit”, tha deputeti Paloka.

Më tej deputeti demokrat i ka kërkuar kryeministrit Berisha, që sipas tij, të gjejë hapësirat që zona në fjalë të kthehet në park shlodhjeje.

“Unë bashkë me kolegët e tjerë i kërkojmë kryeministrit Berisha që të gjejë hapësirat dhe mundësitë që në zonën e sipërpërmendur të bëhet një lulishte e madhe, të kthehet një park e zonë shlodhjeje”, deklaroi zoti Paloka.

Top Channel