Elbasan, mbyllet greva e metalurgëve

13/08/2010 18:20

I është dhënë fund grevës së metalurgëve pas marrëveshjes së arritur mes palëve të sindikatës dhe shoqërisë turke “Kurum” në Elbasan.

Protesta ka nisur që më datë 3 gusht të këtij vitit dhe shkak u bë dhuna e ushtruar nga një drejtues i kompanisë ndaj punëtorëve shqiptarë.

Drejtuesit e kompanisë “Kurum” kanë rënë dakord për disa kërkesa të paraqitura nga metalurgët.

Gjatë marrëveshjes sindikalistët kanë arritur që të largojnë tre punonjësit turq, që ushtronin dhunë mbi punëtorët.

Ndërkohë, është arritur që të plotësohen edhe kërkesat e tjera me karakter ekonomik. Pagat e punëtorëve do të përfitojnë një rritje prej 17% për pagat e ulëta dhe 10% për të lartat.

“Kurum” do të bëjë të mundur edhe dhënien e antidotit me një vlerë prej 200 lekësh të reja në ditë. Efekti financiar i rritjes së pagave do të fillojë që nga 1 qershori i 2010-ës, ku kompania “Kurum” do të paguajë edhe shtesat që prej kësaj date.

Por edhe nga ana institucionale janë bërë ndryshime në favor të punëtorëve, pasi është ngritur një komision i përbashkët disipline nga shoqëria dhe sindikata.

Palët kanë ngritur edhe një komision tjetër për rishikimin e pagave sipas vendeve të punës, duke përfshirë edhe pagat e reja që përdor industria e rëndë.

Top Channel