Truprojë me licensë

11/08/2010 19:30

Truprojat nuk do t’u përkasin vetëm politikanëve. Kushdo që e ndjen të domosdoshme të ketë në krahun e tij një person që i mbron jetën, mund të paguajë një njeri të licensuar ligjërisht si badigard.

Në policinë e Tiranës, vetëm për këte vit janë rritur ndjeshëm kërkesat e shoqërive të ruajtjes fizike për shtetas të cilët kanë marrë licensën e truprojës.

Në total 60 persona kanë marrë në këtë zyrë këtë licensë, pjesa më e madhe e të cilëve mbrojnë biznesmenë të fuqishëm apo persona të njohur.

“Janë rreth 60 persona që kanë aplikuar dhe kanë marrë licensën për të qenë truproje. Këta persona duhet të jenë të kategorizuar në disa nivele dhe në momentin që një subjekt ose person e ka të nevojshme të ketë siguri më të madhe, me shoqëri që kanë këtë kategori lidh një marrëveshje”, deklaron shefi i zyrës, Oltion Ismaili.

Në të njëjtën zyrë merren licensat edhe për t’u bërë polic privat. Vetëm për Tiranën numërohen 2400 policë privatë që shërbejnë për ruajtjen e qendrave të biznesit, bankave, ministrive, të ndërmarrjeve shtetërore dhe më se fundi është krijuar edhe polici private në mbështetjen e aksioneve për ndërprerjen e energjisë elektrike të debitorëve ndaj shtetit.

“Ka subjekte që nuk mund të mbrohen gjithmonë nga policia e shtetit dhe për këtë arsye janë krijuar shërbime private që kanë marrë licensë nga policia”, saktëson Ismaili.

Por nuk është aspak e lehtë të kesh një shërbim të ruajtjes së sigurisë fizike apo polici private.

Ndër kushtet që drejtuesi teknik i saj duhet të plotësojë është fakti që duhet të ketë punuar mbi shtatë vjet në polici dhe ushtri, por të mos ketë më asnjë lidhje me këto struktura.

Ndërsa polici privat duhet së pari të jetë nën 65 vjec, me arsim të mesëm, i padënuar më parë, të ketë nje raport mjekësor dhe psikologjik dhe në fund të kalojë një testim të policisë së Tiranës prej 50 pyetjesh.

Top Channel