Kinë, reshje të reja në ditët e ardhshme

11/08/2010 18:50

Bilanci i viktimave të rrëshqitjeve të tokës në veri-perëndim të Kinës, të shkaktuara nga shirat e dendura, vazhdon të rritet.

Autoritetet lokale deklaruan se numri i personave që dihen që kanë vdekur në kontenë Zhouku, ku balta dhe shkëmbinjtë rrënuan ndërtesat, tani ka shkuar në 1117 vetë, ndërkohë që 627 të tjerë konsiderohen të humbur.

Parashikuesit e motit kanë deklaruar se shirat do të jenë të pranishme edhe në tre ditët e ardhshme, duke paralajmëruar rrëshqitje të reja toke.

Ndërkohë, në rajonin veri-perëndimor të vendit aziatik kanë mbërritur ekspertë për të shmangur përhapjen e sëmundjeve.

Të paktën tre fshatra të kontesë Zhouku, në provincën Gansu, u mbuluan nga balta dhe rrëshqitjet e tokës të shkaktuara nga shirat që nisën ditën e diel.

Tani, skuadrat e shpëtimit druhen se shirat e reja jo vetëm që do të pengojnë punën e tyre por do të shkaktojnë edhe rrëshqitje të mëtejshme të tokës.

Top Channel