SHBA-Vietnam, stërvitje në detin e Kinës

10/08/2010 15:00

SHBA dhe Vietnami po zhvillojnë një stërvitje të përbashkët në detin në jug të Kinës, një shenjë kjo e rritjes së marrëdhënieve ushtarake mes dy ish-armiqve.

Aktivitetet që do të zgjasin gjatë gjithë javës janë përqendruar kryesisht në taktikat joluftarake dhe bëhen në kuadër të 15 vjetorit të vendosjeve të marrëdhënieve diplomatike mes Uashingtonit dhe Hanoit.

Por korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se kjo stërvitje mund të acarojë Kinën, e cila ka pasur përplasje me Vietnamin për kontrollin e disa ishujve në zonë.

SHBA e kanë përshkruar stërvitjen si “një seri aktivitetesh detare” të përqendruara tek kontrolli i dëmeve dhe operacionet e kërkim shpëtimit.

Marina amerikane priti ditën e diel ushtarakët e lartë vietnamezë në anijen luftarake “George Washington”, e cila kthehej nga një stërvitje në detin e Japonisë me Korenë e Jugut, që kishte acaruar atë të Veriut.

Top Channel