Përmbytjet, ngrihet niveli i rrezikut në Pakistan

07/08/2010 18:55

Pakistani e ka cuar në ngjyrën e kuqe nivelin e alarmit nga përmbytjet që kanë shkatërruar zonat veriore.

Autoritetet kanë evakuar më shumë se gjysmë milion persona që jetojnë në afërsi të lumit Indus, ku qindra fshatra janë mbuluar nga uji.

Përmbytjet më të këqija në 80 vitet e fundit kanë shkaktuar vdekjen e 1600 personave dhe kanë prekur rreth 12 milionë të tjerë.

Ndërkohë, presidenti Asif Ali Zardari ka hedhur poshtë kritikat se duhet të ndërpresë udhëtimin e tij të gjatë jashtë vendit.

Në një intervistë për BBC, Zardari ka deklaruar se kabineti i tij po bën perpjekjet e duhura për t’u përballur me situatën dhe se ai vetë ka qenë vazhdimisht i informuar.

“Unë jam ai që kalon pushtetin nga Presidenca tek Parlamenti. Parlamenti është në detyrë dhe po ashtu edhe Senati. Tani përgjegjësia është e kryeministrit dhe ai po kryen detyrën e tij”, ka pohuar Zardari.

Top Channel