Bulqizë, inspektorët në terren për rastet e brucelozës

07/08/2010 12:10

Ka hyrë në muajin e dytë puna e specialistëve të blegtorisë në rrethin e Bulqizës, për gjurmimin dhe eliminimin e bagëtive të prekura nga sëmundja infektive e brucelozës.

Bulqiza mbetet një nga zonat me prevalencë më të lartë të shfaqjes së kësaj sëmundjeje tejet të rrezikshme që transmetohet nëpërmjet produkteve të qumështit nga bagëtitë e infektuara te njerëzit.

Një nga specialistët e Drejtorisë së Bujqësisë të rrethit, mjeku veteriner, Bardhyl Brata, tregon se gjatë këtyre ditëve është bërë një punë intensive për gjurmimin, vaksinimin dhe skartimin e bagëtive të prekura nga bruceloza.

“Po ekzaminojmë për këtë qëllim të gjitha bagëtitë që mbarështojnë fermerët, duke shkuar derë më derë, deri edhe në stanet e ngritura nga blegtorët për verimin e bagëtive”, tregon veterineri.

Më tej ai shton se deri më tani, janë mbuluar me kontroll komunat Fushë-Bulqizë dhe Shupenzë, ku dhe vatrat e sëmundjes janë më aktive.

“Punohet paralelisht në tre drejtime kryesore: vaksinohen qengjat dhe kecat, gjurmohen dhe zbulohen bagëtitë e prekura nga sëmundja, më pas bëhet eliminimi  nëpërmjet therjes dhe groposjes i bagëtive me infeksion”, sqaron Brata.

Ndërkaq, sipas specialistëve veterinerë, mësohet se nga kontrollet e ushtruara deri më tani prej tyre, janë therur e groposur rreth 50 krerë bagëti të infektuara.

Por sipas specialistëve, kaq nuk mjafton për parandalimin e sëmundjes, pasi nuk dihet saktësisht numri i bagëtive të sëmura, pasi sëmundja ka një periudhë inkubacioni që nuk mund të verifikohet nga ekzaminimet e bëra për momentin.

“Prevalenca e kësaj sëmundjeje mbetet e lartë edhe për faktin se mjaft bagëti të imta hyjnë kontrabandë nga Maqedonia fqinje, ku sëmundja ka përhapje mjaft të lartë”, sqarojnë specialistët.

Ndërkohë, mësohet se nuk kanë munguar rastet e përhapjes së kësaj sëmundjeje te banorët e zonës.

Vetëm para disa ditëve, 5 persona përfshirë edhe veterinerët përkatës, në komunat Shupenzë dhe Fushë-Bulqizë, u prekën nga sëmundja infektive e brucelozës.

Top Channel