Terrorizmi, DASH vlerëson Shqipërinë

06/08/2010 20:10

Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin e publikuar për terrorizmin në botë për vitin 2009, e ka cilësuar Shqipërinë si një shtet që duke iu bashkuar SHBA-së, luftoi me agresivitet luftën ndaj terrorizmit. (UPDATE)

Në raport thuhet se, Shqipëria shtoi numrin e trupave në Afganistan, ngriu të gjitha llogaritë qe kishin të bënin me pastrimin e parave apo financimet për terroristët.

Gjithashtu, Shqipëria shënoi progres në identifikimin e cënimit të kufijve tokësore apo detare, por qeveria dhe policia vazhduan implementimin e plotë të sigurisë së kufijve për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Raporti për Shqipërinë në pikat e saj përmend fillimin e gjyqit kundër Hamzeh Abu Rajanit, emri i të cilit ishte përfshirë në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara numër 12/67, që përcakton listën e individëve dhe organizatave të lidhura me Al Kaedën dhe talebanët, financierit të Jasin Al Kadi, i cili akuzohet për fshehjen e fondeve që financojnë terrorizmin.

Ky shënoi dhe gjyqin e parë penal kundër një terroristi në Shqipëri. Gjyqi vazhdoi edhe gjatë viti 2009. Një padi civile e Al Kadi për heqjen e sekuestros ndaj aseteve të tij u anulua dhe u ripërsërit disa herë, më pas u rishikua nga gjykatat më të larta për çështje të juridiksionit dhe statutin e kufizimit.

Pasi u anulua në qershor, u ngrit sërish si cështje dhe tani është në pritje të gjykimit në gjykatën e qarkut Tiranë. Ndërkohë, është kundërshtuar në tetor të 2009-ës edhe ankesa e Al Kadi për anulimin e vendimit të qeverisë për asetet e sekuestruara për terrorizëm dhe tani është në pritje të apelit.

Një tjetër rast i përmendur në raport është ai i arrestimit më 12 tëtor të imamit Artan Kristo në Durrës. Kristo, i njohur si Muhamed Abdullah, akuzohet për nxitjen publike dhe përhapjen e akteve terroriste për thirrje për xhihad në forumin e AlbSelafi.net.

Më parë Kristo u cilësua si i dyshuar në vrasjen e sekretarit të përgjithshëm të Bashkësisë Shqiptare Islamike Salih Tivari, në Janar të vitit 2003. Gjykata e Durrësit vendosi të burgosë Kriston në pritje të gjykimit.

Ndërkohë që vlerësohet gjithashtu edhe mbajtja të ngrira nga Ministria e Financave e aseteve kundër gjashtë individëve dhe 14 fondacioneve dhe kompanive të cilat ndodhen në listën e rezolutës së Këshillit të Sigurimit me numër 12/67.

Por pavarësisht kësaj, raporti thotë se, efektshmëria e përpjekjeve anti-terroriste të qeverisë u minua nga mungesa e infrastrukturës së të dhënave dhe aftësisë për të gjurmuar dhe menaxhuar si duhet këto raste. Gjithashtu raporti thotë se gjatë 2009-ës nuk u realizua asnjë ngrirje aseti.

Top Channel