Ndërpriten lidhjet e paligjshme

05/08/2010 16:35

Drejtoria e ujësjellësit ka prerë lidhjet e paligjshme në tubacionet e furnizmit me ujë të pijshëm të zonës së Saukut.

Prej kohës banorët e kësaj zone ankohen për mungesën e ujit të pijshëm ndonëse e paguajnë rregullisht atë.

Por sipas drejtorit të Departamentit të Shitjes pranë Ujësjellësit, zona e Saukut furnizohet me rreth 11 mijë metër kubë ujë në ditë, të cilat përllogariten të furnizojnë rreth 70 mijë familje, në një kohë kur Sauku numëron rreth 20 mijë banorë dhe me ujësjellësin kanë kontratë vetëm 1200 abonentë.

Sipas Shkëmbit, e gjithë kjo sasi shfrytëzohet nga familje që nuk kanë kontratë me ujësjellësin nëpërmjet lidhjeve të paligjshme në tubacione duke u furnizuar 24 orë me ujë të pijshëm e duke privuar familje të tjera që janë të rregullt me ujësjellësin.

“Investimet që janë bërë janë dy tubacione një 400 dhe një 250 kanë shtuar furnizimin e banorëve të kësaj zone. 1000 metra kubë në ditë duhet të furnizojë të gjithë banorët. Por kjo zonë ka probleme nga lidhjet e paligjshme”, deklaroi Shkëmbi.

E gjithë sasia e ujit që shfrytëzohej në mënyrë të paligjshme tashmë u kalon familjarëve që paguajnë rregullisht ujin.

Sipas Shkëmbit, përveçse lidhjet e paligjshme ndërpriten, familjet që i kanë kryer ato ndëshkohen me gjobë e cila varion nga 10 deri në 50 mijë lekë.

Në rast se do të përsëriten lidhjet që priten në këtë aksion, atëherë familjarët radhiten në listën për ndjekje penale.

Drejtoria e Ujësjellësit u bën thirrje qytetarëve të nxitojnë të lidhin kontrata me drejtorinë e ujësjellësit, në mënyrë, që të furnizohen me ujë të pijshëm.

Top Channel