Ambasadorët, “të bllokuar” në Presidencë

05/08/2010 08:10

Të paktën dy dekrete të munguara të Presidentit të Republikës vijojnë të mbajnë ende të pazbardhur perspektivën e përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në selinë e OSBE-së në Vjenë.

Rreth një muaj nga diskutimet e mbyllura në Komisionin Parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë, zyra e kreut të shtetit e ka ‘zgjidhur’ vetëm pjesërisht çështjen e diplomatëve të emëruar, të cilët gjithsesi do të duhet të presin ende për të marrë detyrën.

Kështu, deri më tani, kandidaturat që kanë marrë firmën e Bamir Topit janë Arben Cici në Danimarkë, Agim Isaku në Bratislavë, Vili Minarolli në Vjenë dhe Dashnor Dervishi në Greqi, i cili i ka paraqitur para pak javësh letrat kredenciale Presidentit grek, Karolios Papulias.

Në pritje për firmën e kreut të shtetit duket se janë disa emra që kanë marrë miratimin përkatës në Komisionin Parlamentar të Marrëdhënieve me Jashtë ku është zhvilluar seanca dëgjimore.

Kështu, kandidati për në ambasadën e hapur rishtas në Belgjikë, Ilir Tepelena, Flamur Gashi për në Bosnjë-Hercegovinë, Behar Bejko i propozuar për në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kastriot Robo për në Spanjë, Mira Hoxha e propozuar për në Hungari, si dhe Elvira Isufaj për në Çeki.

I gjithë ky kuadër do të presë procedurat e marrjes së detyrës pas zyrtarizmit të dekretit presidencial, që me sa duket do të bëhet prezent në muajin shtator.

Një gjë e tillë vjen edhe për shkak se ligji apo Kushtetuta nuk e detyron kreun e shtetit që të shprehet për këtë çështje në afate të përcaktuara, çka i jep atij të drejtën për të firmosur në çdo kohë.

Në pikëpamje politike me rëndësi është ‘pezullimi’ i dekretimit të dy emrave që edhe më parë kanë krijuar një pështjellim në skenën politike. krijuar një pështjellim në skenën politike.

Spiro Koçi dhe Gilbert Galanxhi, respektivisht kandidatura për në selinë e OSBE në Vjenë dhe ambasadën shqiptare në SHBA, janë aktualisht pika qendrore e vëmendjes në këtë drejtim.

Jo vetëm për sa i përket rëndësisë që ka detyra dhe vendi ku ata pritet të emërohen, por edhe për shkak të “incidenteve” të ndodhura në seleksionimin e tyre.

Top Channel