Meta, vizitë në Greqi

04/08/2010 19:20

Ministri i Jashtëm Ilir Meta zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm plotësues të Greqisë, Dimitris Drucas.

Ministria e Jashtme greke njoftoi se takimi ishte jozyrtar dhe u zhvillua në kuader të kalimit tranzit në Athinë të zotit Meta, i cili është nisur për një vizitë zyrtare në Qipro.

Sipas njoftimit të ministrisë greke, në takim u shkëmbyen mendimet për një sërë cështjesh rajonale, ku pa dyshim në qender ishin zhvillimet më të fundit lidhur me Kosovën.

Zoti Drucas informoi zotin Meta lidhur me viziten e tij në Prishtinë dhe Beograd. Meta dhe Drucas patën mundësinë të shkëmbejnë mendimet e tyre lidhur me situatën politike në rajon pas vendimit të GJND-së për Kosovën.

Greqia, tha zoti Drucas, po shikon me kujdes zhvillimet në rajon. Athina mbetet e vendosur në qëndrimet e saj lidhur me një sërë cështjesh që shqetësojnë Ballkanin.

Zoti Drucas përsëriti vendimin e Greqisë për implementimin e nismës greke për integrimin e gjithë Ballkanit perëndimor në Bashkimin Europian deri në vitin 2014.

Ai premtoi mbështetje të mëtejshme të Athinës në liberalizimin e vizave me Shqipërinë brenda këtij viti.

Ndërsa ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta falenderoi Athinën për ndihmën e dhënë në intergimin europian të Shqipërisë.

Ai shprehu bindjen se marrëdhëniet shqiptaro-greke do të forcohen edhe më shumë. Pikë lidhëse për përparimin e mëtejshëm të tyre janë minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi.

Meta falenderoi Athinën për ndryshimet integruese të ligjeve greke të emigracionit, të cilat u japin mundësinë emigrantëve shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj të votojnë dhe të votohen në zgjedhjet për pushtetin vendor, si dhe mundësinë e dhënies së nënshtetësisë greke për fëmijët e emigrantëve shqiptarë që kanë lindur dhe janë arsimuar në Greqi.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta