Berisha: Rruga rriti turizmin

04/08/2010 15:55

Në pikun e sezonit të pushimeve verore, kryeministri Sali Berisha është treguar shumë i kënaqur në mbledhjen e qeverisë me fluksin e turistëve që kanë hyrë në Shqipëri, që për muajt qershor-korrik llogaritet në rreth 1.4 milionë. (UPDATE)

Këtë vit, sipas kryeministrit, e vecanta është rritja e turistëve të huaj, shtetas jo shqiptarë, me rreth 25 për qind, një meritë që kryeministri Berisha ia njohu vetëm ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës.

“Në dy vite së bashku, turizmi në Shqipëri u rrit me 60 për qind. Ishte jashtë çdo mundësie të arrihej kjo po të mos ishte rruga. Një rritje e tillë është tërësisht kontribut i rrugës së kombit. Ata që u bënë vajtorë të rrugës së kombit, me një akt pendese, të shkojnjë një ditë në Rrëshen-Rubik apo edhe më tutje, të mos kenë frikë nga rruga, e të shohin fluksin e jashtëzakonshëm ekonomik që vjen drejt Shqipërisë”, ka deklaruar Berisha.

Sipas kryeministrit, një faktor tjetër i rritjes së numrit të turistëve është përmirësimi i infrastrukturës në zonat turistike, ku sipas tij janë investuar rreth 750 milionë euro, nga Ksamili në Velipojë, c’ka ka bërë që në 5 vjet, 2004-2009 numri i trusitëve të dhjetëfishohet në 3 milionë.

Por gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri Berisha shprehu edhe shqetësimin që vjen nga zhurmat e lokaleve të shndërruara në disko.

Duke deklaruar se orari i mesnatës për stopimin e muzikës tej normave të lejuara nuk ndryshon, ai kërkoi profesionalizëm nga autoritetet e mjedisit.

“Ne duam t’i bëjmë sa më të gëzueshme pushimet, por nuk mund t’i bëjmë të gëzueshme për disa dhe horror për disa të tjerë. Ne nuk mund të pranojmë që njerëzit të largohen nga pushimet për shkak të zhurmës. Inspektorët e mjeidist paraqiten pa aparat. Inspektorët e mjedisit nuk mund të shkojnë të paraqiten askund me duart në xhepa, por vetëm më aparatet matëse”, ka theksuar Berisha.

Problemi tjetër që shtroi kryeministri për këtë sezon truistik janë motorët e ujit. Ai identifikoi pushtetin lokal si përgjegjës për mungesën e një kufiri detar, të përcaktuar me bova, hapësirë që motorët e ujit nuk mund ta shkelin, pasi vënë në rrezik jetën e pushuesve.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta