Tiranë, spitali pa ilaçe

03/08/2010 08:50

Aktualisht, në qendrën më të madhe spitalore të vendit, ka mungesa barnash. Këto ilaçe janë të shtrenjta për t’u blerë privatisht, por nga ana tjetër kërkojnë edhe kohë për të realizuar procedurat e furnizimeve të mëdha.

Nisur nga anulimi i tenderëve një muaj më parë, ku sipas Autoritetit të Prokurimit Publik, ndodhën për shkaqe teknike, pasi nuk kishte konkurrencë, si dhe nga pakësimi i buxhetit për shëndetësinë, të paktën edhe për 45 ditë, spitali “Nënë Tereza” do të jetë i detyruar të bëjë zgjedhje alternative për të siguruar mungesat.

Një tjetër vendim, që pritet të mbërrijë këto ditë zyrtarisht në qendrat spitalore në të gjithë vendin, është edhe ai për pezullimin e procedurave tenderiale.

Për shkak të vonesave, problemeve me pakësimin e buxhetit por edhe problemeve teknike, pacientët rrezikojnë krizën e barnave jo vetëm për verën dhe vjeshtën, por deri në fund të 2010-s, deri në hyrje të vitit të ri, kur do të fillojë edhe zbatimi i buxhetit të ri.

Prindër të cilët kanë të shtruar fëmijët në pediatrinë e specialiteteve, pacientë të cilët trajtohen nga hepatitet, por edhe të sëmurë të onkologjikut, po i blejnë privatisht ilaçet, po kryejnë kombinime kurash me ilaçet që ndodhen në farmacinë e spitalit, por ka nga ata që janë edhe në pritje të furnizimit të ri.

Top Channel