Misioni europian i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, ka thënë se po bëhet gati për ekzaminimin e dy varrezave masive, pa treguar vendndodhjen e tyre të saktë.

Zëdhënësja Irina Gudjeleviç ka thënë se janë duke u bërë përgatitjet për ekzaminimin e dy varrezave dhe se punimet do të duhej të nisnin shumë shpejt.

Ajo ka thënë se deri më tani janë bërë 190 operacione në terren. Gudjeleviç ka pohuar se pjesëmarrja e ekspertëve të mjekësisë ligjore të EULEX-it do të kufizohen vetëm në këshillim dhe në mbikëqyrje.

Më herët janë përmendur si vende (në Kosovë, Serbi e Maqedoni) ku dyshohet për varreza masive: Kosharja, Livoçi, Buteli, Medvegja, Peruçaci, Bellaqevci dhe Rudnica.

Andrijevica (në Mal të Zi), ku ndërkohë u bënë hulumtime, rezultoi të mos ketë eshtra shqiptarësh, të vrarë gjatë luftës në Kosovë, më 1999. Ndërkaq, përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur thonë se kanë shtuar angazhimin në hulumtimin e varrezave masive, të cilat dyshohen se gjenden brenda dhe jashtë Kosovës.

Ata thonë se ende nuk kanë ndonjë rezultat për hulumtimet që po bëhen në varrezat e dyshuara në Rudincë dhe në Medvegjë, ku pala kosovare, sipas kryetarit të Komisionit për Persona të Pagjetur, Prenkë Gjetaj, po merr pjesë vetëm si vëzhguese.

“Akti i fundit i hulumtimit gjurmues në Rudnicë ka qenë i njëanshëm, pasi Gjykata për Krime Lufte, me asistencën e Komisionit për Persona të Pagjetur në Beograd, kanë zhvilluar aktivitete hulumtuese, ndërsa ne kemi asistuar vetëm si vëzhgues. Kjo ka pamundësuar marrjen e ekspertëve tanë”, thotë ai.

As për rastin e Rashkës nuk ka ndonjë informacion më të hollësishëm. Lajmi për ekzistencën e një varreze masive në Rashkë ishte bërë i ditur në fillim të muajit maj nga Prokuroria e Serbisë për Krime Lufte, zyrtarë të së cilës kishin shprehur bindjen se në varrezë gjenden rreth 250 trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Misioni i Bashkimit Europian për forcimin e sundimit të ligjit në atë kohë kishte inkurajuar autoritetet serbe që të vazhdonin punën në, siç thuhej, zbardhjen e së vërtetës lidhur me Rashkën.

Ndërsa, sa u përket dyshimeve për një varrezë masive në Andrijevicë të Malit të Zi, kryetari i Komisionit për Persona të Pagjetur, Prenkë Gjetaj, thotë se as për këtë, nuk ka ndonjë informatë zyrtare.

“Së shpejti përfundojnë ato punime, por ende nuk kemi ndonjë informatë se ka gjetje të ndonjë varreze të dyshuar. Janë bërë disa hulumtime dhe besoj që së shpejti do të informohemi nëse ka gjetje apo jo”, shprehet Gjetaj.

Familjarët e personave të pagjetur presin nga autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare më shumë angazhime për zbardhjen e fatit të të afërmve.

Ata shprehen të pakënaqur me punën e deritanishme të institucioneve. Bajram Qerkini, nga Këshilli Koordinues i Asociacionit të Familjarëve të të Zhdukurve, shprehet:

“Familjarët kanë shumë vërejtje në punën e deritashme, për shkak se ata (vendorët) nuk e kanë bërë trysninë e duhur te ndërkombëtarët, që Serbia të kushtëzohet dhe ta na tregojë se ku gjenden familjarët tanë”, shprehet Qerkini.

Sipas të dhënave të Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, aktualisht në Kosovë figurojnë 1860 persona të pagjetur, shumica prej tyre shqiptarë.

Top Channel