Greqi, 4 shqiptarë në pranga

01/08/2010 15:45

Edhe 4 persona të tjerë, të gjithë shtetas shqiptarë, janë arrestuar në fshatin Dhiavato të Imathias, pranë qytetit të Verias, pas një sherri me thika që ka ndodhur disa ditë më parë, midis dy grupeve adoleshentësh grekë dhe shqiptarë, që pati si rezultat plagosjen e pesë personave. (UPDATE)

Ajo çka problematizon në këtë rast organet greke është fakti se ndaj dy, prej pesë shqiptarëve që tashmë janë arrestuar në lidhje me këtë konflikt, ekzistonte urdhër arresti me akuzën e tentativës për vrasje qysh prej vitit 2001, si dhe për armëmbajte pa leje dhe përdorim arme.

Megjithatë të dy këta emigrantë shqiptarë, identiteti i të cilëve ende nuk publikohet, hynin dhe dilnin lirshëm në kufirin shqiptaro-grek për mëse 9 vjet.
 
Të gjithë të arrestuarit janë çuar në mëngjesin e së shtunës tek prokurori i cili u ka lexuar akuzën për konfrontim, ushtrim dhune si rezultat i se cilës kanë shkaktuar plagë të renda, si dhe për armëmbajtje pa leje .
 
Më pas u është dhënë masa e burgimit pa afat, ndërsa kërkohen edhe tre shqiptarë të tjerë, të cilët duket se kanë marrë pjesë në këtë zënkë të përgjakur.
 
Ngjarja në fjalë ndodhi të mërkurën në mbrëmje kur pas një konfrontimi me fjalë për motive të dobëta midis dy grupeve gjimnazistësh grekë dhe shqiptarë, kanë ndërhyrë rreth 8 emigrantë shqiptarë të rritur, të cilët sipas dëshmitarëve okulare, kane sulmuar me mjete të forta dhe me thika gjimnazistët greke. Nga konfrontimi janë plagosur katër greke dhe një shqiptar, prej të cilëve vetëm një 17 vjeçar grek, ndodhet ende në gjendje të rëndë në repartin e reanimacionit.
 
Ndërkohë organet greke janë të shqetësuara për arsye të klimës tepër të tensionuar që ekziston tashme në këtë fshat dhe në zonën përreth, ku jetojnë shumë emigrantë shqiptarë, të cilët ose janë larguar në Shqipëri ose nuk dalin nga shtëpitë nga frika e një hakmarrjeje prej të afërmve të adoleshentëve grekë të plagosur, ndërkohë që në të kaluarën emigrantët dhe vendasit kanë jetuar në harmoni të plotë për shumë vite.

Top Channel