Specializimet e mjekësisë, ndryshojnë rregullat

31/07/2010 08:15

Specializimet afatgjata në mjekësi, për studentët që arsimohen pranë Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, do të organizohen në një mënyrë të re.

Lajmi është konfirmuar nga Universiteti i Tiranës. Risitë në fazën e specializimeve do të hyjnë në fuqi në vitin e ri akademik.

Fakulteti i Mjekësisë bëri disa propozime lidhur me studentët që do të fitojnë të drejtën e specializimit dhe senati i UT-së gjatë mbledhjes së djeshme i ka miratuar.

Sipas pjesëmarrësve në takim, nëse më parë specializantët duhet të kalonin një test të përgjithshëm, zhvilluar dhe administruar në rang fakulteti, tashmë testi do të jetë më pak i përgjithshëm dhe më shumë specifik.

Kjo do të thotë se për një specializim të caktuar në një fushë të caktuar, provimi do të organizohet, zhvillohet dhe menaxhohet nga departamenti dhe jo nga fakulteti.

Po ashtu edhe pyetjet e testimit do të jenë më specifike për fushën e kërkuar, sigurisht pa anashkaluar dhe pyetjet e përgjithshme.

Por profilizimi do ta ketë bazën në specifikën e fushës, ku studenti do të jetë i interesuar për të bërë specializimin.

Top Channel