Megjithëse lajmi më i mirë për kosovarët do të ishte që shteti grek të njihte pavarësinë e Kosovës, zëvendësministri i Jashtëm grek Dimitris Droutsas nuk erdhi në Prishtinë të sjellë ndonjë sinjal për njohje.

Pas takimit të zhvilluar me kryeministrin kosovar Hashim Thaci, Droutsas tha se « kam ardhur në Prishtinë për çështje më të mëdha siç është integrimi i të gjitha shteteve të Ballkanit në Bashkimin Evropian ».

Në pyetjen e gazetarëve se edhe kush tjetër përveç GJND-së duhet ta legjitimoj shtetin e Kosovës, për të marr njohjen e shtetit grek ai tha:

“Ky është një vendim që çdo shtet e merr vetë. Besoj që të gjitha shtetet e tjera janë duke u përballur me këtë. Mendoj që ky nuk është ky objektivi kryesor që të flasim. Për ne është më mirë të orientohemi nga e ardhmja në BE, përfshirë të gjithë rajonin. Në këtë çështje Greqia do të bëjë çdo gjë që është e domosdoshme për ta arritur këtë qëllim”.

Zëvendësministri i Jashtëm grek e ka përsëritur atë që e ka thënë një ditë më parë në Serbi gjatë takimit me presidentin serb Boris Tadiç. Ai ka thënë se Greqia i bashkohet 27 shteteve të BE-së në një pikë të rëndësishme e që është e ardhmja e rajonit në BE.

“Pozicioni i Greqisë është i mirënjohur mirëpo më e rëndësishmja është këtu se të gjitha vendet e BE-së pajtohen për një gjë shumë të rëndësishme se, rajoni duhet të ketë një të ardhme evropiane. Ne si Greqi me shumë krenari mund të themi si iu përkasim këtyre shteteve me qasje pozitive për integrimin. Duam të vëmë një dinamik të re që rajonin ta shohim pjesë të Bashkimit Evropian dhe ky është mesazhi kryesor që ia kam përcjellë kryeministër Thaçit për Prishtinën dhe Beogradin”, tha Droutsas.

Me këtë rast kryeministri kosovar ka falënderuar shtetin grek për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës.

Më pas zëvendësministri i Jashtëm grek është pritur në një takim me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Gjatë vizitës në Prishtinë, Droutsas ka folur edhe për çështjen e kontestimit të emrit të Republikës së Maqedonisë. Ai i ka bërë thirrje Shkupit zyrtar që të jenë të hapur për diskutimin e kësaj çështjeje në një tryezë të përbashkët nën flamurin evropian.

Sipas Droutsas, çështja e emrit duhet të gjejë një zgjidhje sa më të shpejt, në mënyrë që qëllimi i përbashkët i të gjithë rajonit të përshpejtohet drejt BE-së.

Top Channel