Virozat, bie numri i të prekurve

28/07/2010 08:40

Në dy ditët e para të kësaj jave, një numër më i vogël pacientësh të vegjël figurojnë të regjistruar në repartin e shërbimit të pediatrisë së spitalit të Bulqizës.

Sipas mjekëve të këtij spitali, kjo lidhet me uljen e ndjeshme të temperaturave krahasuar me ato të javës së kaluar, ku u vërejt një rritje e numrit të fëmijëve të prekur nga virozat dhe shqetësimet e vapës.

Mjeku pediatër me përvojë të gjatë, Aqif Lleshi, thotë për “Shqip” se gjatë këtyre ditëve vijnë për vizitë mjekësore dhe për të marrë ndihmën e parë 15 deri në 20 fëmijë për çdo ditë, nga 25-30 fëmijë që vinin para një jave.

Sipas tij, simptomat më shqetësuese që paraqesin fëmijët që vijnë për vizitë janë temperaturat e larta dhe dhimbjet e barkut.

Pjesa më e madhe e pacientëve paraqiten në pavijonin e pediatrisë për të marrë ndihmën e parë dhe rikthehen në kushtet e shtëpisë.

“Të gjitha rastet e paraqitura kanë marrë kujdes shëndetësor nga ana jonë, thotë mjeku Aqif Lleshi, pasi i kemi të gjitha kushtet dhe medikamentet e nevojshme”, sqaron mjeku.

Drejtori i spitalit, Fatos Hoxha, thotë se për stinën e nxehtë të verës në të cilën jemi, janë marrë të gjitha masat e duhura, ku veç furnizimit me medikamente, është punuar edhe për ndërgjegjësimin e popullatës, për të mos qëndruar për një kohë të gjatë në diell e për të zbatuar këshillat e specialistit, si për moshat pediatrike, ashtu edhe për moshat e treta e pacientët kronikë.

Top Channel