Alpha Bank kalon testin e stresit

28/07/2010 08:30

Alpha Bank S.A. renditet ndër institucionet financiare që e kaluan me sukses testimin në lidhje me mjaftueshmërinë e kapitalit, i cili u organizua në nivel kontinenti për 91 banka europiane nga Komisioni Europian i Mbikëqyrjes Bankare.

Testimi u fokusua në ndikimin e mundshëm në kapitalin e sistemit bankar europian të faktorëve negativë financiarë, siç janë ngadalësimi ekonomik, recesioni dhe rritja e normave të interesit të borxhit të qeverive europiane, të cilët llogaritet të kenë ndikimin e tyre në performancën e bankave.

Ndërkohë, Alpha Bank ka pasur rezultatet më të larta në këtë stres-test, duke u rreshtuar në një nivel me banka të tjera ndërkombëtare si Raiffeisen Bank dhe Intesa San Paolo IMI.

Testi vërtetoi perceptimin publik që Alpha Bank mund të përballojë situata të vështira për sa i përket cilësisë së aktiveve dhe tregut dhe gjithashtu riskut të normës së interesit.

Alpha Bank S.A., në një deklaratë për shtyp të datës 23 Korrik 2010, i ka pranuar rezultatet e këtij stres-testi, si edhe i ka diskutuar ato në mënyrë të detajuar me Bankën Qendrore të Greqisë për të përcaktuar hapat e mëtejshëm në nivel sistemi bankar, me qëllim përballimin me sukses të situatës financiare të krijuar kohët e fundit në Greqi dhe në Europë.

Top Channel