Qeveria shtyn ligjin për SHISH

26/07/2010 22:55

Seanca e fundit e parlamentit për miratimin nen për nen të buxhetit të rishikuar është shndërruar në një seance me mesazhe të qarta politike nga të dyja palët. (UPDATE)

Megjithëse u ndalën gjatë në situatën ekonomike të vendit, natyrisht me dy kendveshtrime të kundërta, kryeministri Sali Berisha dhe kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi shkëmbyen replika sfiduese nëse mazhoranca i ka më numrat për të qeverisur apo jo.

Këto replika morën shkak nga tërheqja e mazhorancës për të diskutuar dhe votuar në këtë seancë amendamentin e rrëzuar në Komisionin e Sigurisë për përcaktimin e mandatit 5 vjeçar të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Sipas Kuvendit kalendari parashikonte për këtë seancë vetëm miratimin e buxhetit nen për nen, ndërsa ligji i shërbimeve sekrete ishte në kalendarin e punimeve të enjten e kaluar. Por për socialistët ligji nuk u hodh në votim, sepse qeveria nuk ka më mazhorancën në parlament.

“Ne, në këtë seance vijmë pas një seance maratonë, ku jemi përplasur për katër orë për një problem të madh, ku sot  vihet në diskutim qeverisja jote, numrat e tu. Thuajani publikut shqiptar që sot ju jeni në një krizë politike. Sot, ju, de jure jeni rrëzuar politikisht si qeveri. Sot po mbyllet parlamenti. Ke një krizë politike, ke një krizë të demokracisë zoti Kryeminister. Pse nuk po e zgjidh? Kemi një krizë institucionale zoti Kyeminister. Pse nuk e zgjidh? Por, përkundrazi, sikur nuk ka ndodhur gjë këto muaj, sikur nuk ka ndodhur gjë seancën e kaluar, sot vijmë këtu vetëm se nuk keni numra për të mos reklamuar rrëzimin e kabinetit tuaj”, tha nga foltorja e Kuvendit kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi.

Pas fjalës së zotit Ruçi ka ardhur edhe kundërpërgjigja e kryeministrit Berisha i cili ka sfiduar opozitën duke i kërkuar dërgimin e një mocioni besimi për qeverinë.

“Të ftoj të bësh një mocion. Por ju jeni pa kokrra more zotëri, se ai që ju ka sjellë këtu, ju ka lënë pa kokrra.  Dhe prandaj nuk bëni dot mocione ju. Bej mocion dhe provoje ti. Vota është kokrra. Provojeni! Ja ku e keni kryeministrin. Ju vij nesër në mocion, por problemi është se ju nuk bëni dot mocion. Prandaj, mundësisht, përpara se të flasësh për kriza, bëji hesapet. Do që të më bësh mocion, më bëj mocion, të vij në çdo kohë. E thërras edhe në mënyrë të veçantë parlamentin, ushtroj të drejtën e kryeministrit dhe e thërras. Më bëj mocion nesër”, deklaroi kryeministri Berisha.

Ky sesion nuk u mbyll vetëm me këto deklarata sfiduese. Përpara se buxheti i rishikuar të miratohej me 75 vota, punimet e parlamentit për këtë sesion përfunduan me përplasje fizike mes deputetëve.

Kur deputetët socialistë po kundërshtonin pranë foltores proçedurën e votimit nen për nen të buxhetit, deputeti demokrat Lefter Maliqi ka goditur deputetin socialist Erion Braçe, të cilit garda ka tentuar t’i heqë një shishe uji nga duart. Pas kësaj goditjeje, situata precipitoi në përplasje të tjera fizike mes deputetëve.

Pak pas këtij incidenti, në një deklaratë për shtyp, Garda e Republikës njoftoi se do të ndërmarrë hapat ligjore ndaj deputetit Gjovalin Kadeli i cili ka goditur një oficer të gardës në shërbim.

Top Channel