Fier, vrasja e 48 vjecarit, hetim familjarëve

26/07/2010 08:45

Një 48-vjeçar nga Fieri është gjetur i masakruar në banesën e tij, ndërkohë që policia është ende duke hetuar nëse bëhet fjalë për një krim brenda familjes.

Viktima, Ylli Zeqaj, është gjetur nga i biri mes pellgut të gjakut në banesën e tij në lagjen “Apolonia” të këtij qyteti.

48-vjeçari kishte rreth një vit që ishte divorcuar nga bashkëshortja, me të cilën kishte dy djem.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se 48-vjeçari ka gjetur vdekjen si pasojë e tetë plagëve të thella të depërtueshme, që dyshohet se janë shkaktuar nga një thikë e gjatë.

Sipas burimeve zyrtare të policisë 48-vjeçari është masakruar disa ditë më parë dhe trupi është gjetur rastësisht nga i biri.

Grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje po punon në disa pista, ku më e mundshmja është ajo e një krimi brenda familjes, pasi viktima ka pasur gjatë gjithë kohës grindje me ish-bashkëshorten.

Ai prej disa kohësh kishte nxjerrë në shitje shtëpinë dhe ky vendim nuk është mirëpritur nga ish-gruaja, e cila kishte të drejta pronësie.

Pas divorcit, ajo banonte në lagjen “1 Maji” të Fierit, bashkë me dy djemtë. Tri ditë më parë viktima kishte komunikuar në telefon me ish-gruan, e cila i kishte telefonuar sapo kishte marrë vesh se 48-vjeçari po bënte një ndarje me mur në njërën prej dhomave të shtëpisë.

Policia e Fierit, deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ka shoqëruar disa persona, mes tyre ish-bashkëshortja dhe të afërm të saj. Por ende nuk ka të ndaluar dhe asnjë emër konkret autori të ngjarjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA