Turizmi shqiptar në “National Geographic”

21/07/2010 21:40

Shqipëria është një nga gjashtë vendet ballkanike të prezantuara në numrin e fundit të revistës “National Geographic Traveler”.

Në një suplement për Ballkanin perëndimor zbulohen pasuritë natyrore, kulturore e historike të Shqipërisë.

Prezantimi i Shqipërisë në këtë revistë është bërë i mundur në saj të një projekti të USAID që ka për qëllim promovimin e turizmit shqiptar, duke e prezantuar vendin tonë si një destinacion turistik mjaft tërheqës.

Drejtori i misionit të USAID në Shqiperi, Xhozef Uilliams tha se Shqipëria është akoma një vend që njihet shumë pak nga vendet jashtë bllokut europian dhe ka pasur një himazh jo fort pozitiv përsa i përket varfërisë në vend, infrastrukturës së dobët apo mungesa e investimeve edhe pse këto janë probleme të cilat po rekuperohen.

Ministri i Turizmit, Ferdinand Xhaferi, pjesëmarrës në këtë aktivitet, tha se turizmi shqiptar është në rritje të vazhdueshme dhe një nga sektorët kryesorë që ndikojnë në rritjen ekonomike në vend.

Xhaferi shtoi se bashkëpunimi me sektorin privat, përmirësimi i shërbimit, higjenës dhe promovimi i mirë do të forcojnë pozicionin e turizmit shqiptar në tregjet ndërkombëtare.

Top Channel