Withers: Gjyqtarët, jo me sistemin amerikan

19/07/2010 17:35

Nëse zgjedhjet e 28 qershorit ishin më të mira se të kaluarat, kjo, nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që ato nuk përmbushën standardet ndërkombëtare. Ngërci politik ka qenë tepër i gjatë dhe i dëmshëm për lëvizjen e vendit përpara.

Korrupsioni në Shqipëri është i tmerrshëm. Dhe, mënyrat e përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë nuk janë aspak si sistemi amerikan.

Këto janë vetëm disa nga pohimet e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë John Withers, në një intervistë për të përditshmen “Panorama”.

E ilustruar aty-këtu me citate të presidentëve Regan e Obama, duket sikur intervista do të vërë pikat mbi “i” nisur nga këndvështrimi i selisë së rrugës së Elbasanit për disa nga cështjet që prekin shoqërinë shqiptare.

Ambasadori Withers, është në fund të mandatit në Tiranë. Për krizën politike, ai shprehet:

“Të gjithë kemi vënë në dukje se zgjedhjet e fundit kishin disa elementë që u përmirësuan, por mendoj se cilido që bëri një vlerësim për ato zgjedhje, pavarësisht se kush ishte, prapëseprapë gjeti se zgjedhjet ishin nën standardet ndërkombëtare. Nuk shoh asnjë arsye se pse shqiptarët duhet të jenë të kënaqur me zgjedhje që nuk përmbushën standardet ndërkombëtare. Këto zgjedhje, si ishin në krahasim me zgjedhjet e mëparshme, nuk ka shumë rëndësi! Ajo që nevojitet është se si janë në krahasim me normat ndërkombëtare”, deklaron Withers, i cili ka prekur edhe cështjen e ngërcit politik.

“Përsa i përket impasit, qeveria ime ka qenë shumë, shumë e qartë: ne do të donim të shihnim dialog, do të donim të shihnim kompromis, për t’i dhënë fund ngërcit që ka vazhduar tepër, tepër gjatë dhe ka qenë i dëmshëm për lëvizjen e vendit përpara. Ne e kemi bërë shumë të qartë, nga nivelet më larta të qeverisë, mbështetjen tonë për nismën e Parlamentit Europian. Ne mendojmë që parimet e përcaktuara në atë nismë janë pozitive dhe në interesin më të mirë të vendit”, pohon Withers.

Në lidhje me rrëzimet e njëpasnjëshme të dekreteve të presidentit për emërimet në Gjykatën e Kushtetuese dhe të Lartë, zoti Withers jep ndër të tjera këtë përgjigje:

“Do të doja të bëja shumë të qartë, do të doja të thosha shumë drejtpërdrejt se sistemi dhe procedurat për përzgjedhjen e gjyqtarëve për në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë nuk janë aspak si sistemi amerikan. Të marrësh një element nga sistemi ynë i gjerë dhe gjithëpërfshirës që siguron se do të kemi njerëzit më të mirë të vendit në gjykatat tona, pra të marrësh një element dhe të pretendosh se, për rrjedhojë, ajo që po ndodh aktualisht në Parlament është në ndonjë mënyrë e barazvlefshme me atë që bëjmë në Amerikë, është thjesht e pasaktë! Shikoni c’po ndodh në Parlament tani lidhur me përzgjedhjen dhe miratimin e gjyqtarëve. Kemi në një anë shumicën, e cila përdor haptas kritere të ligjit të lustracionit për të refuzuar gjykatësit, ndërkohë që ligji i lustracionit nuk është ligj i këtij vendi. Gjykata Kushtetuese, me rekomandimin e Komisionit të Venecias, e shpalli atë ligj jokushtetues. Megjithatë, duke e shpërfillur atë, gjykatësit po refuzohen. Kjo nuk do të ndodhte kurrë në Shtetet e Bashkuara. Nesë Gjykata e Lartë do të vendoste, le të themi se gjinia apo raca nuk mund të përdoren si kritere për të refuzuar gjykatësit dhe Senati po përpiqej ta bënte këtë, do t’u duhej të jepnin llogari dhe praktika do të ndalohej. Opozita as që merr pjesë në proces, në dicka kaq të rëndësishme sa zgjedhja e gjykatësve më të mirë për gjykatat më të rëndësishme në vend; ata thjesht nuk marrin pjesë”.

Në intervistë ambasadori Withers prek edhe cështjen e korrupsionit. Ai thotë se ndihet i trishtuar që edhe tre vjet pas mbërritjes së tij në Shqipëri, korrupsioni në perceptimin e 92% të popullsisë vazhdon të mbetet i përhapur gjerësisht mes zyrtarëve publikë.

“Njerëzit që janë të korruptuar, që gjenden të korruptuar, pavarësisht ku janë, qofshin në nivelet më të larta të qeverisjes, qofshin në segmente të tjera të shoqërisë, nuk mund të mbrohen për shkak të një dispozite imuniteti apo të lidhjeve të tyre me dikë. Korrupsioni duhet crrënjosur me rrënjë dhe me degë. Më lejoni të siguroj që njerëzit ta kuptojnë: nuk është vec një individ që flet këtu, është zëri i popullit tonë, është zëri i popullit që është shumë i lidhur me Shqipërinë dhe popullin shqiptar”, thekson Withers.

Ambadori amerikan ndalet edhe te liria e medias, rasti i sulmit ndaj Mero Bazes dhe mbyllja e gazetës “Tema”, te fenomeni i gjakmarrjes, të drejtat e homoseksualëve dhe liria fetare.

Top Channel