Aksidenti, 8 të plagosur mbërrijnë në Tiranë

17/07/2010 19:45

Spitali Ushtarak në kryeqytet është në gatishmërinë numër 1 për shkak të tragjedisë në Pukë dhe mjekët nga të gjitha repartet janë kthyer në detyrë.

Sipas informacioneve të fundit, bilanci i viktimave është 10 të vdekur dhe 12 të tjerë të plagosur, të cilët janë akomoduar në cadrat e ngritura në fshatin Gjegjan.

Ata do të transportohen të gjithë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku deri tani kanë mbërritur 8 persona, katër burra dhe katër të mitur.

Të plagosurit janë transportuar me helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe me ata ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ndërkohë, burime pranë policisë rrugore kanë bërë të ditur për Top Channel se shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë një defekt i autobuzit, ose zënia e gjumit të shoferit të tij.

Nga informacionet paraprake rezulton se të plagosurit janë rekuperuar të gjithë, por polumbarët e RENEA-s po vazhdojnë kërkimet në lumin Fan për t’u siguruar.  

Top Channel